Kush ishin dy Dritat e para në Kuvendin e Gjilanit?

Në garën për pushtet lokale, në zgjedhjet e para (2000) kishin dalë fituese vetëm tri gra nga lista e LDK, derisa te subjektet tjera, PPD, AAK dhe PQLK, që po ashtu kishin siguruar ulëse në Kuvend Komunal, nuk kishte fituar askush, shkruan Mediafokus.info

Përfshirja e grave në jetën institucionale, pas luftës, ishte simbolike, edhe pse Kosova kishte kuadro dhe një kulturë qeverisëse të asaj kohe.

Për pak vite, burrat e dominuan skenën politike, për ta lëshuar gradualisht tek gratë një pjesë të pushtetit politik, në vitet e ardhshme.

Tani, njëzet vite pas luftës, kur këtu janë mbajtur disa palë zgjedhje lokale e qendrore, gratë kanë arritur një shkallë përfaqësimi deri në 30 për qind, në të dy nivelet e pushtetit dhe vendimmarrjes.

Madje, Kosova është ndër vendet e pakta në rajon, që edhe postin më të lartë të shtetit ia besoi grave, Atifete Jahjagës (2011-2016) dhe Vjosa Osmani-Sadriut (2021), të dyja këto emra të respektueshëm në arenën ndërkombëtare.

Në Gjilan, në garën për pushtet lokal, në zgjedhjet e para (2000) kishin dalë fituese vetëm tri femra, Drita Idrizi, Drita Maliqi dhe Sanije Elezi, të gjitha të LDK-së, derisa te subjektet tjera, PPD, AAK dhe PQLK, që po ashtu kishin siguruar ulëse në Kuvend Komunal, nuk kishte fituar asnjë femër.

Prej këtyre, vetëm Drita Maliqi është aktive ende në politikë. Ajo është nënshkruese edhe e Deklaratës së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, si deputete e Kuvendit të Kosovës.

Në zgjedhjet e dyta (2002), përfaqësimi i femrës në vendimmarrjen komunale, u rrit në 12, gjë konsiderohet një avancim i kënaqshëm në respektimin e barazisë gjinore: 8 nga radhët e LDK-së dhe 4 të tjera nga PDK-ja.

Përbërja e fundit e Kuvendit Komunal në Gjilan numëron 35 mandate, ndahet ndërmjet burrave dhe grave në raportin 22:13.

Pra, nga tri, sa ishin në vitin 2000, atëherë Kuvendi i kishte 41 këshilltarë, tani femrat përfaqësohen me 13 ulëse në vendimmarrjen komunale.

Mbetet të shihet pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, sa mandate kanë fituar gratë në këto zgjedhje (17  tetor 2021)./Mediafokus.info/