Ky ishte personi që synonte jetëgjatësinë e babait
Para disa ditësh iku nga jeta Jashar Jashari. Synimi i tij ishte që të arrinte moshën e babait, 96 vjet, por nuk mundi për park.
Rrugëtimi i tij jetësor, që nisi më 1929, përfundoi këto ditë të vitit 2020, shkruan portali mediafokus.info
Ajri, ushqimi dhe gjumi i qetë, janë tri sekretet e jetëgjatësisë së tij.
I përmbahej parimit: “Duhanin s`e duroj dot, në sofër nuk zgjedh asgjë, gjumin e bëjë të qetë”.
Ishte ndër intelektualët e parë të kësaj ane.
Në atë kohë, medresistët njiheshin si “paraja e kuqe”, sepse ishin të rrallë.
Pas mbarimit të medresesë laike në Shkup, ka punuar nëpër institucione të ndryshme në Kosovë dhe Gjilan, por pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në arsim.
Nga nxënësit ka kërkuar kulturë, disiplinë dhe mësim.
Thoshte: “Unë nuk kam qenë nacionalist, por kam qenë punëtor. Mbi të gjitha nuk i kam duruar padrejtësitë dhe nuk i kam njohur autoritetet, prandaj jam përjashtuar nga partia disa herë”.
Jashari ishte adhurues i madh i natyrës. Detin nuk e preferonte.
Babai i tij, Ahmeti, falë natyrës dhe ajrit të pastër jetoi 96 vjet, edhe pse vuante nga problemet me frymëmarrje prej moshës 16-vjeçe.
Ai e fitoi betejën me sëmundjen për 80 vjet, vetëm duke qëndruar në ajër të pastër. “Verë e dimër ka fjetur jashtë”, rrëfente i biri.
Jashari synonte ta kalojë moshën e babait.
Çorba, qumështi, kosi, vezët dhe mjalti ishin ushqimet e tij të preferuara.
Nuk përdorte ushqime të konservuara dhe as bukën e nxehtë.
Deri në ditët e fundit, ai e vazhdoi jetën e tij, sipas ritmit të përditshëm dhe formulës së tij “ajër të pastër, ushqim të mirë, gjumë të qetë”.
“Jeta s`ka pse të ta kthejë shpinën kur kujdesesh për të”, thoshte Jashari derisa ishte gjallë.
Megjithatë, jeta e ka një fund për secilin prej nesh./mediafokus.info

