Kush ishte shqiptari nga Gjilani që përjetoi ferrin e Sarajevës
Sabedin Sherifi
Fehmi Zymer Sejdiu lindi rreth vitit 1935 në Vërbicë të Zhegocit, në një familje të varfër ku burim i vetëm i mbijetesës ishte bujqësia dhe blegtoria.
Fehmiu kishte tre vëllezër dhe dy motra dhe koha për të cilën po flasim ishte kohë e vështirë për shqiptarët jo vetëm për familjen Sejdiu por për mbarë shqiptarët e Kosovës e më gjerë në atë kohë.
Koha e pushtimit sllav pas atij otoman ishte ndër pushtimet më të egra që kishte përjetuar populli shqiptar.
Fundi i luftës së dytë botërore për shqiptarët nuk solli diçka të re apo të dobishëm për ta, thjesht ishte vetëm ndërrim i sistemeve por jo edhe ndryshim i synimeve antishqiptare të sllavëve në trojet tona.
Varfëria ekstreme detyronte shumë të rinj të marrin botën në sy për të siguruar kafshatën e bukës duke punuar nëpër gjithë trevat e ish Jugosllavisë.
Edhe Fehmiu së bashku me shumë bashkëmoshatar për të siguruar bukën e gojës për familjen migruan drejt Sarajevës.
Ishin fundi i viteve të pesëdhjeta ku së bashku me kusheririn e tij Gani Sejdiu, Nezir Sejdiu e shumë të tjerë nga treva e Malësisë së Zhegocit u vendosën në Bosnje/Sarajevë.
Ata zgjodhën Bosnën pasi që kishin gjëra përbashkët me boshnjakët që nga niveli kulturore dhe etnik.
Si çdo fillim i vështirë për të gjithë edhe për Fehmiu ishte diçka jo e lehtë siç është gjetja e një pune apo edhe akomodimi në një vend krejt të panjohur.
Komuniteti shqiptar në Sarajeve kishte rrënjë të thella aty pasi që lidhja tregtare dhe ekonomike me Bosnjën ishte një lidhje e vjetër që nga koha e Perandorisë Osmane nëpërmjet Sangjakut një rrugë natyrore që lidhte Ilirinë e vjetër në Bosnje e Dalmaci.
Tregtarët shfrytëzonin këto rrugë për të tregtuar mallin e tyre drejt tregjeve të kohës.
Fillimisht Fehmiu bëri punë të ndryshme krahu dhe pas një kohe punësohet në një ndërmarrje shtetërore e cila bënte ndërtimin e qytetit me rrethinë.
Aq shumë kishte punuar sa që e kishte vështirë të numëronte ndërtesat që kishte ngritur me firmën që punonte.
Ishte fati i tij ku atje gjene dhe fatin e jetës gruan Rasimen me të cilën krijuan një familje të re.
Ai i kishte premtuar nënës se nusen do e sjell në shtëpi dhe ashtu bëri. Ishte shumë i lidhur me familjen sidomos me nënën e tij dhe brenga më e madhe ishte shëndeti i dobësuar i nënës dhe mbi të gjitha nevoja për një kujdes ndaj saj.
Me gruan krijoj familjen ku ata patën tre djem.
Baca Fehmi si e thirrën gjithë fshati ishte shumë i lidhur me familjen dhe vinte shumë shpesh për të parë gruan dhe fëmijët si dhe familjen e gjerë.
Dhe kështu jeta vazhdonte deri në fillimin e luftërave në ish Jugosllavi ai punoi vazhdimisht në Sarajevë.
Ai priste dhe pensionin për të marr dhe ikur për në vendlindje por agresioni serb mbi Bosnje ishte një sfidë e pa pritur për të dhe shumë shqiptar që mbetën të rrethuar në Sarajevë.
Ajo që kishte përjetuar gjatë rrethimit të Sarajevës mbetet mister pasi që ai nuk dëshironte që të tmerrohen njerëzit nga ajo çfarë ai kishte përjetuar.
Rrallë herë fillonte të tregonte ndonjë ngjarje dhe mbytej në vajë. Kjo të bënte të kuptosh se dhimbja për Bosnjën dhe Sarajevën është shumë e madhe.
Ai kishte varrosur aq shumë njerëz në Sarajeve sa që thoshte se më nuk kishte oborre apo hapësira të gjelbëruara ku nuk kishte varre.
Fatkeqësisht ai ishte në një moshë kur nuk kishte mundësi të luftonte por edhe ai në formën e tij luftonte për Sarajevën dhe njerëzit e saj.
Gjatë granatimeve dhe luftimeve të përditshme Fehmiu plagoset rëndë dhe mezi mbijeton falë mjekëve të klinikës së Sarajevës.
Një natë të kobshme deri sa ishte i shtruar në klinikën e urologjisë një predhë topi bie në klinikë dhe gjithë stafin e asaj nate që ishin kujdestar kishte lënë të vdekur.
Sarajeva e rrethuar ishte tmerr jo vetëm i atyre që jetonin aty por ishte edhe i gjithë botës së qytetruar të cilët tmerroheshin nga lajmet që vinin nga agjencitë e ndryshme.
Sarajevasit bënin luftë heroike në shumë fronte ku njeri prej tyre ishte edhe fronti kundër urisë.
Njerëzit në qytet e rrethinë vdisnin për një bukë. Flitej se një bukë kushtonte sa një makinë Golf i kohës.
Banorët e qytetit kishin hapur një tunel që lidhte lagjet Dobrinja dhe Butmir, Tuneli i shpëtimit është emri i tunelit të luftës në Sarajevë, i cili u ndërtua gjatë rrethimit të Sarajevës në 1993.
Tuneli u ndërtua nën pistën e aeroportit dhe lidhte dy territore që ishin nën kontrollin e Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës (Dobrinja dhe Butmir), kështu që tuneli u quajt “Tuneli D-B”.
Tuneli është 785.5 m i gjatë, rreth 1 m i gjerë dhe rreth 1.5 m i lartë, megjithëse në disa pjesë lartësia arrin deri në 1.8 m i lartë.
‘Tuneli’ është përmendur në bisedimet zyrtare midis ushtrisë së BH dhe OKB me emrin “Tuneli që nuk ekziston”.
Tuneli ishte sekreti më i ruajtur i Sarajevës, sepse përmes tunelit mbërrinin në Sarajevë ushqime, armë, cigare etj.
Gjatë vitit 1994, nëpër tunel u vendosën shina të vegjël mbi të cilët shkonin karroca të vogla.
Gjithashtu gjatë vitit 1994, Ushtria e Republikës Srpska mori vesh për tunelin, kështu që Ratko Mlladiq kontaktoi aeroportin e mbajtur nga OKB-ja dhe kërkoi që tuneli të prishej dhe mbyllej.
Pastaj Ushtria e serbëve të Bosnjës u përpoq duke gërmuar një tunel tjetër dhe duke devijuar lumin Zheljeznica, për ta zhytur tunelin dhe kështu ta çaktivizonte atë, por qëllimi i tyre dështoi.
Përmes këtij tuneli arriti të dalë nga qytetit që kishte vite që ishte i rrethuar, edhe Fehmi Sejdiu nga fshati Vërbicë e Zhegocit, komuna e Gjilanit.
Familja disa herë kishte marrë lajme të rrejshme për vrasjen e tij.
Ai kaloi nga Bosnja në Dubrovnik dhe nga aty nëpërmjet Kryqit të Kuq ndërkombëtar kalon në Itali, duke vazhduar rrugën në Shqipëri dhe Kosovë.
Ishte viti 1994 kur ai u kthye në Kosovë. Ky ishte një lajm që kishte gëzuar familjen e tij dhe më gjerë pasi që ata kishin humbur shpresat se ai ishte gjallë.
Ai kishte vizita të shumëta nga njerëz të ndryshëm dhe shumica pyesnin nga kureshtja se çfarë po ndodhte në Bosnje, ai duke mos dashur të traumatizonte njerzit me mizoritë që kishte parë u thoshte se atje është luftë.
Fillimet e luftës në Kosovë Fehmiun e gjejnë në familjen e tij ku ai bënte jetë të vështirë pasi që nuk kishte ndonjë burim financiar.
Në kontakt me njerëz mundohej t’i këshillonte ata rreth luftës dhe rreziqet e saj pasi që kishte kaluar nëpër ferrin e quajtur Sarajevë.
Nuk vonoi shumë dhe flakët e luftës arrin edhe në vendlindjen e tij, ofensiva serbe e 15 Prillit 1999 në zonën e Karadakut Fehmiun bashkë me shumë bashkëfshatar i gjeti në mesin e flakës së luftës.
Atij ia dogjën shtëpinë dhe gjithëçka që kishte. Ai humbi edhe kusherinjtë në luftë.
Gjatë luftës Fehmiu derisa mundohej të siguronte ushqim, zihet nga forcat serbe dhe pëson tortura të tmerrshme.
Atë, serbet provuan ta hedhin në pus me ujë por falë reagimit të disa ushtarëve të UÇK-së forcat serbe largohen dhe ai mbijetoi.
Pas çlirimit shumicën e kohës e kaloi nëpër spitale pasi që ai nuk mund të merrte vetën dot. Torturat që i kishin shkaktuar serbët thuajse e kishin lënë invalid të përjetshëm.
Fehmiu jetoi deri më 10 Prill 2010 kur mbylli sytë përgjithmonë. Pas vetës la tre djem ku dy prej tyre si shumica e të rinjve shqiptarë ishin larguar në emigrim.
Ai iku nga kjo botë duke përjetuar dy ferre, atë të quajtur Sarajevë dhe Kosovë por iku me zemër të çliruar pasi më në vendlindjen e tij më nuk ishin ata që i kishin shkaktuar aq shumë tortura e dhembje. /Mediafokus.info
