Kush po planifikon ta shterrojë syrin e kaltër

Kryetari i bashkisë së Finiqit, Kristo Kiço, tha se nuk ka dijeni për lajmet në mediat greke që bashkia e Korfuzit ka bërë gati projektin për t’u furnizuar me ujë nga Syri i Kaltër në Shqipëri.

Kiço u shpreh se ideja është e vjetër, por që të ketë bisedime për parkun që është në territorin e bashkisë së tij, nuk ka dijeni.

“Nuk kam asnjë dijeni. Para një ore po shikoja telefonin dhe po lexoja reagimin e deputetes së PD-së dhe pashë diçka. Por nuk ka ndonjë gjë. Nuk më ka informuar askush as nga Korfuzi as nga qeveria shqiptare, nuk kam asnjë informacion. Mbase është një dëshirë e kryetarit të bashkisë së Korfuzit. Nuk e di nëse është biseduar në nivel të lartë. Kjo si ide është dëgjuar para viteve 2000, pastaj jo më. E kanë lënë në heshtje” tha ai.

Por cili do të ishte vendimi i tij, nëse i hapet rruga projektit?

“Nuk është bashkia autoriteti që vendos. Kjo i tejkalon kompetencat e pushtetit lokal. Nuk besoj se duhet firma ime, ujerat janë pronë e shtetit, jo pushtetit vendor. Ajo do të vendoset nga specialistët nëse nuk krijon probleme. Duhet studiuar. Nuk e di cfarë të them” tha Kiço.