Kushtetuesja vendos në favor të Qeverisë për faljen e tatimit në pronë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë, përmes ndryshimeve në Ligjin për tatim në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.
Në gusht, komuna e Prizrenit dorëzoi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të kontestuar nenin 5 të ligjit të ndryshuar, që parasheh faljen në vlerë prej 100 eurosh të tatimit në pronë për çdo tatim-pagues për vitin tatimor 2023.
“…Si i tillë, ky i fundit [neni 5 i Ligjin për tatimin në pronë], nuk cenon përgjegjësitë komunale apo nuk zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm në kontekst të ushtrimit të kompetencave të komunës për të caktuar, mbledhur dhe shpenzuar tatimin në pronën e paluajtshme brenda territorit të komunës përkatëse”, u tha në njoftimin e Kushtetueses.
Nga komuna e Prizrenit, kishin argumentuar se neni 5 i këtij ligji shkurton buxhetin e komunave të Kosovës.
Më 4 shtator, Kushtetuesja kishte pranuar kërkesën e komunës së Prizrenit dhe kishte vendosur masë të përkohshme për ligjin, deri në një vendim përfundimtar.
Ligji për tatimin në pronë ka hyrë në fuqi më 14 gusht.

