Kuvendarët e Gjilanit miratojnë buxhetin për vitin 2026, shuma afër 42 milionë euro

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar sot buxhetin për vitin 2026, me 33 vota për dhe asnjë kundër.

Paraprakisht, shtyllat kryesore të buxhetit i ka prezantuar kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2026 është afër 42 milionë euro (41.928.924).

Ndërkohë, projekt-buxhetit i kanë dhënë përkrahje paraprakisht Besnik Shala (LVV), Nazim Gagica (AAK) e Naser Arifi (Guxo), me disa kërkesa specifike për investime, ndërkaq opozita Gentrit Murseli (LDK) dhe Riad Rashiti (PDK), kanë shfaqur vërejtjet e tyre, duke e kushtëzuar votimin me përfshirjen e dhjetëra projekteve të ndryshme komunitare.

Pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike, kryetari Hyseni ka thënë se janë dakorduar që 8 nga 20 kërkesat e LDK-së të përfshihen në buxhet (vlera 764 mijë euro), së bashku me kërkesën e partisë Guxo për rregullimin e parkut në Miresh.

Kurse për kërkesat e PDK-së, me theks të veçantë varrezat e qytetit, ai tha se janë dakorduar që të inkorporohet në kuadër të bartjes së buxhetit në muajin shkurt, përkatësisht për rritjen e buxhetit për këtë projekt.