Kuvendi i Malit të Zi thërret tri seanca, e para për shkarkimin e Abazoviqit
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Becic, ka caktuar tri seanca për muajin shkurt dhe të që të gjitha kanë të bëjnë me nismën për ndryshimin e Qeverisë dhe shkurtimin e mandatit të Kuvendit.
Seanca e parë e jashtëzakonshme, me kërkesë të Qeverisë, do të mbahet më 3 shkurt në ora 11:00, me dy pika të rendit të ditës – propozimin për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe propozimin për zgjedhjen e zv/kryeministrit të ri.
Sipas portalit RTCG, kryeministri Zdravko Krivokapic ka propozuar për këtë pozitë ministrin aktual të Financave dhe Mirëqenies Sociale, Milojko Spajic.
Seanca e dytë, me kërkesë të Qeverisë, do të mbahet më 4 shkurt në ora 10:00, me një pikë të rendit të ditës – propozimin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit.
Seanca e tretë, me kërkesë të 31 deputetëve të URA-së dhe opozitës, do të mbahet të njëjtën ditë në ora 11:00, me propozimin për mosbesim ndaj qeverisë.

