Kuvendi me mbikëqyrje të dobët ndaj qeverisë

Mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit, veçanërisht ndaj zbatimit të ligjeve mbetet e dobët, theksojnë në Institutin Demokratik të Kosovës.

Sipas kësaj organizate, shumë ligje të cilat janë miratuar nga legjislaturat e kaluara, por edhe tash, nuk po arrijnë që të monitorohen dhe siç theksohet, nuk po gjejnë zbatim.

Agnesa Haxhiu, hulumtuese e politikave në Institutin Demokratik të Kosovës, që monitoron punën e kuvendit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se janë disa faktor që kanë ndikuar dhe po ndikojnë në mosmbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.

“Ka shumë faktorë që kanë luajtur rol në mbikëqyrjen e ulët të zbatimit të ligjeve, duke filluar prej zbrazëtirave ligjore që ekzistojnë brenda vet Rregullores së Punës e cila nuk përcakton sa është numri i ligjeve që komisionet parlamentare duhet t’i mbikëqyrë brenda një viti kalendarik dhe kjo u jep mandej komoditet komisioneve që të mos e kenë prioritet këtë detyrë. Mandej janë edhe mungesa e ekspertizës së nevojshme të komisioneve, por edhe mos gatishmëria e deputetëve që të përfshihen në këto aktivitete”, tha Haxhiiu.