Kuvendi në “pauzë” – nesër skadon masa e përkohshme e Kushtetueses
Të martën, më 30 shtator, përfundon zyrtarisht masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila që nga data 5 shtator ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe procedurat për formimin e Qeverisë.
Kjo masë ishte ndërmarrë pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, e cila kontestoi mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit, veçanërisht për faktin që Kuvendi u shpall i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Lista Serbe e cilësoi këtë si shkelje të procedurave kushtetuese, ndërsa kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli konstituimin e Kuvendit si të plotë, pavarësisht mungesës së votimit për përfaqësuesin serb në kryesi.
Megjithatë, me afatin që po shkon drejt përfundimit, mbetet e paqartë se cilat do të jenë hapat pasues nga institucionet vendore.
Me afatin që përfundon më 30 shtator, pritjet janë që institucionet e vendit – përfshirë Presidencën dhe Kuvendin – të rifillojnë proceset e ndërprera për shkak të masës.
Sipas paralajmërimeve, presidentja Osmani do ta ftojë menjëherë partinë e parë për të propozuar mandatarin për formimin e Qeverisë, gjë që do të hapte rrugën për zhvillimet e reja politike në vend.
Megjithatë, vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese për rastin në fjalë ende nuk është bërë publik, ndaj pasiguria mbetet.
Nëse Kushtetuesja do të vendosë që Kuvendi nuk ishte konstituuar në përputhje me Kushtetutën, atëherë do të kërkohen hapa të rinj proceduralë që mund ta shtyjnë edhe më tej formimin e qeverisë së re.

