Ky biznes i gastronomisë në Gjilan kalon në javën pesë ditësh të punës
Një biznes në Gjilan, i sektorit të gastronomisë, mbase i pari në Kosovë, ka vendosur ta zbatojë javën 5 ditëshe të punës, shkruan Mediafokus.info
Madje, ndër të parët në rajonin e Gjilanit, ka respektuar edhe pushimin vjetor të punëtorëve sikurse edhe festat kombëtare e fetare.
“Kur filluam ta mbyllim restorantin për pushime vjetore, 7 vite më parë, na shihnin me çudi!
Kur filluam me një ditë në javë pushim dhe 23 ditë pushim në kalendarin vjetor, na shihnin edhe më me çudi!
E tani mund të na thonë të çmendur!
Por jo, ne jemi si ju. E duam jetën si ju dhe besojmë në trendet që vendosim!
Vetëm duam që të tregojmë se ne e duam këtë vend dhe ardhmërinë e tij, pa e menduar si humbje, por si nevojë jetike”, thotë Ejup Haziri, pronar i restorantit Baresha në Gjilan.
Ai tregon se të hënën dhe të martën, punëtorët e kanë pushim, sikurse dy herë brenda vitit, në qershor dhe shtator, biznesi mbyllet nga dhjetë ditë.
“Nëse në gjithë botën, dy ditë pushim në javë janë normale, atëherë pse te ne duhet të jetë jonormale”.
Gjesti i tij është përshëndetur nga qytetarët. Punëdhënësi, profesor historie dhe ish-vendimmarrës komunal, është vlerësuar si njeri human, i cili në rend të parë punëtorin e respekton si të jetë anëtar i familjes.
“Po nuk e respektove punëtorin, nuk ke respektuar veten”, ka komentuar Sylë Hasani./Mediafokus.info

