Ky është avokati që vdiq duke e mbrojtur UÇK-në nga gjykatat serbe
Osman Arifi nga Gjilani, gjykatës dhe avokat, ka qenë njëri prej kundërshtuesve më të zëshëm të ligjeve diskriminuese në Kosovë, deri në frymën e tij të fundit, të cilën e dha në sallën e gjyqit serb, para 26 vitesh (3.03.1999), ku po mbronte disa pjesëtarë të UÇK-së, nga akuzat për terrorizëm, shkruan Mediafokus.info
Arifi, i cili këtu njihej për guxim dhe kokëfortësi në kundërshtimin e diskriminimit, ia pat bërë me dije gjykatëses serbe, gjyqësorit dhe tërë aparatit represiv të Beogradit, se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste për shqiptarët.
“Për ne shqiptarët UÇK-ja nuk është organizatë terroriste. Vetëm regjimi serb e quan atë terroriste e askush tjetër në botë”, kishte thënë Arifi.
Arifi pësoi infarkt në gjykatore, derisa po përballej vendosmërisht me prokurorë e gjykatës të egër dhe të pamëshirshëm serbë ndaj intelektualëve e luftëtarëve shqiptarë.
Osman Arifi si gjykatës, në Gjilan mbahet mend për vendime të drejta. Nuk iu nënshtrohej urdhrave të komiteteve për të dënuar shqiptarë me porosi, prandaj ishte shkarkuar nga detyra.
Më vonë doli avokat i pavarur, sepse nuk dëshironte të gjendej në anën e atyre që dënonin popullin e tij, por me ata që e mbronin këtë popull nga gjyqet e montuara e të padrejta.
Punoi edhe pa pagesë, sepse nuk mund t`iu kërkonte para atyre që ishin ngritur për të drejta kombëtare dhe po e vinin në rrezik jetën e tyre, prandaj edhe i ndodhi të përballej me krizë ekonomike.
Madje, edhe një veturë “Jugo” të vjetër që e posedonte, ia dha shtetit për shlyerje të tatimit, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër.
Ishte përkushtuar vendosmërisht për t`i mbrojtur intelektualët shqiptarë nga gjyqet serbe, aq sa e kishte harruar shëndetin, i cili po i rrënohej ditë pas dite.
Në shumë raste, Osmani e fitoi luftën me prokurorët serbë, por e humbi luftën me atakun kardiak, që e goditi pikërisht aty ku e kishte ndier më së shumti dhimbjen për djemtë dhe vajzat që po keqtrajtoheshin nëpër burgje, për të vetmen arsye se po kërkonin liri.
Prandaj, Osman Arifi është pjesë e lirisë së Kosovës dhe si i tillë duhet të kujtohet sot dhe në të ardhmen. /Mediafokus.info


 
 
						 
						