Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se bëhet fjalë për Muhamed Shabanin, 42-vjeçar, i cili ka qenë objekt hetimi nën dyshimet se është përfshirë në këtë rast mashtrimi dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Kë e mashtroi dhe cilat janë detajet e rastit?

Siç mëson Sinjali, i dyshuari me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka mashtruar një çift, të cilëve ua ka marrë paratë gjoja se për shitjen e disa parcelave me shtëpi banimi.

Sipas informacioneve të para, dy palët kanë arritur marrëveshje, ashtu që në bazë të kontratës së shitblerjes, viktimat kanë blerë tetë parcela me shtëpi banimi në kompleksin “Planeti Rezidencë”, në Kmetovc të Gjilanit, në vlerën prej 800 mijë frangave zvicerane.

Por i dyshuari arriti t’i vë në lajthitje viktimat, pasi në realitet bëhej fjalë vetëm për shtatë parcela me shtëpi banimi, 6 prej të cilave kanë qenë të shitura dhe në të njëjtat kanë qenë duke jetuar persona të caktuar.

Kështu i njëjti iu ka shkaktuar dëm të madh viktimave, duke krijuar dobi pasurore për veten, kundërligjshëm.

Gjithë ky rast u zbulua pas denoncimit të viktimave, që dëshmuan para hetuesve policorë se si kanë rënë pre e mashtrimit.

Të njëjtat burimet thonë se i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, teksa tashmë janë siguruar edhe dokumente të ndryshme, si kontrata e autorizime, që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë kundër të dyshuarit./GazetaSinjali

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.