Ky është biznesmeni që e hapi kuletën për nevojtarët para shtetit për ta përballuar pandeminë
Në kohën e izolimit të madh në Kosovë si pasojë e pandemisë COVID-19, një biznesmen i kosovar e hapi kuletën për njerëzit në nevojë, shkruan Mediafokus.info.
Është ky Muhamet Ajrullahu, pronari i gjigantit të ndërtimit, AR Katana, i cili e hapi kuletën para shtetit.
Me vendim të ish-kryeministrit Albin Kurti, vendi ishte mbyllur totalisht dhjetë ditë pas fillimit të pandemisë, më 24 mars dhe nevojat e njerëzve për mbështetje ishin rritur jashtëzakonisht shumë.
E Ajrullahu me kompaninë e tij, brenda 2 javësh të fillimit të pandemisë, në mars, kanë shpërndarë tre kontigjente ndihmash për ata që kishin nevojë dhe vlera financiare e kalonte shumën prej 100 mijë euro.
Pronari i kompanisë AR Katana, Muhamet Ajrullahu, pati deklaruar se humanitetin e kanë traditë familjare.
“Për neve, është obligim moral, fetar dhe kombëtar, që në momente të pandemisë, t’i dalim në mbështetje njerëzve që kanë nevojë për miell e produkte tjera, sikurse edhe institucionet për mjete higjienike e shëndetësore”, ka thënë Ajrullahu, më 28 mars.
Për ta falënderuar për këtë mbështetje rekorde, i shkoi në vizitë kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili pati theksuar se AR Katana nuk po lejon që njerëzit ta kenë problemin e sofrës.
Solidariteti i kësaj kompanie daton më herët, pasi pronari Muhamet Ajrullahu, disa familje me probleme të banimit i ka bërë me kulm mbi kokë.

