Ky është çifti serb që u arrestua nën akuzën se e ndihmuan Faton Hajrizin
Ivana R., blogere e njohur në Serbi, është arrestuar si e dyshuar për ndihmë ndaj Faton Hajrizit, të dyshuarit për vrasjen e policit serb.
Ajo bashkë me partnerin e saj, Zoran R, u arrestuan në pjesën e Bijelinës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Siç raportojnë mediat serbe, të dy këta kanë siguruar transportin për Faton Hajrizin, i cili po kërkohet nga autoritetet serbe për vrasjen e një polici mesnatën e së enjtes.
Janë publikuar edhe fotografi të çiftit që u arrestua gjatë ditës së djeshme.
Derisa, zyrtarisht institucionet e sigurisë në Serbi kanë kërkuar ndihmë për kapjen e Faton Hajrizit.
Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi ka lëshuar një njoftim ku i fton qytetarët të lajmërojnë menjëherë policinë nëse e shohin Faton Hajrizin.
“Ftojmë qytetarët të lajmërojnë menjëherë policinë në numrin 192 ose të kontaktojnë komisariatin më të afërt nëse vërejnë personin në foto ose kanë informacion për lëvizjet e tij”, thuhet në njoftim.


