Ky është malësori i Karadakut që lahet në borë e në akuj

Nuk janë vetëm rusët ata që lahen në temperatura të ulëta, kur ngrin edhe lumi, po këtë e bëjnë edhe shqiptarët, ndonëse vetëm ndonjë i rrallë, si Vehid Ibrahimi nga Muçibaba e Gjilanit, shkruan Mediafokus.info.

Në temperaturë -11 gradë, Vehidi jo vetëm se shtrihet në borë i zhveshur, po edhe në akuj.

Madje, ai edhe hyn e lahet në pellgun e lumit, pa u rrëqethur fare.

Të ‘fjeturit’ në borë e akuj dhe zhytja në ujëra të ftohta, në temperatura deri minus 11 gradë, sa ishin këto ditë, nuk është traditë dhe as praktikë ndër ne, por ja që Vehid Ibrahimi e bën edhe këtë sfidë çdo dimër, madje në një lartësi mbidetare mbi 800 metra.

Rajoni i Gjilanit njihet për temperatura të ulëta.

Sipas meteorologut Sylë Tahirsylaj, në vitin 1963 këtu është regjistruar temperatura më e ultë ndonjëherë në Kosovë, minus 32.5 gradë. /Mediafokus.info/