Ky është mërgimtari i heshtur i cili mori 80 mijë franga kredi për të kryer obligimin ndaj kombit

Ruzhdi Shabani cilësohet ‘mërgimtari i heshtur nga Malësia e Bujanocit, i cili mori kredi në shtetin ku punonte për të kryer obligimin ndaj kombit të tij.

Në kohën kur shumë njerëz flasin për atdhedashuri dhe për kontributin e tyre ndaj çështjes kombëtare, Ruzhdi Shabani ka zgjedhur të heshttë dhe të mos flasë për atë që ka bërë për popullin dhe kombin e tij.

Ai ka një zemër të madhe dhe një përkushtim të rrallë, shkruan portali faqja Trevat e Hashanisë.

Mërgimtari nga Zarbica e Bujanocit, i cili për vite me radhë ka jetuar dhe punuar në Zvicër, tashmë si pensionist është vendosur në Gjilan.

Ruzhdiu është nga ata njerëz që rrallë i dëgjon të flasin, por kur e bëjnë, fjalët e tyre peshojnë shumë.

Ai tregon se kishte hyrë në kredi prej 80 mijë frangash zvicerane, vetëm për të ndihmuar Fondin “Vendlindja Thërret” gjatë luftës së UÇK-së.

Këtë shumë e ka paguar me përkushtim për vite me radhë me interes 3%, duke mos kërkuar kurrë asgjë në këmbim.

“Nuk jam pishman për asgjë. Jam krenar që e kam ndihmuar luftën dhe njerëzit në nevojë. Por më dhemb kjo përçarje dhe acarim ndër shqiptarë. Ne duhet të bëhemi bashkë nëse duam të ecim përpara. Kosova ka obligim ta ndihmojë Luginën dhe të dëbuarit e atjeshëm”, thotë Ruzhdi Shabani.

Në një shoqëri ku shpesh harrohen kontribuesit e heshtur, figura si Ruzhdi Shabani na kujtojnë se atdhedashuria nuk matet me fjalë, por me vepra.

Ai është pasqyra më e pastër e një mërgimtari të ndershëm, që jetën e tij e ka vënë në shërbim të kombit dhe të njerëzve në nevojë. /Mediafokus