Ky është mjeshtri që riparon prej orëve e dronëve deri te fizarmonika

Shyqeri Sahatçiu, i cili prej gjysmë shekulli merret me rregullimin e orëve, celularëve, aparateve fotografike dhe pajisjeve tjera mekanike dhe elektronike, madje edhe dronëve, tani ka filluar t`i riparojë edhe fizarmonikat, shkruan Mediafokus.info

Shyqeriu ka njohuri të mjaftueshme për mënyrën e funksionimit të tyre, prandaj ka filluar edhe t’i riparojë, duke e zgjeruar kështu gamën e shërbimeve si asnjë tjetër në botë.

Për punët që bënë, ai ka edhe pjesë rezervë, në rast se është e nevojshme ndërrimi i tyre për ta funksionalizuar një orë mekanike ose elektronike, një aparat fotografik, një dron apo një fizarmonikë.

Gati-gati nuk ka pajisje që Shyqeriu nuk arrin t’a rikthejë në ‘jetë’ kur e merr në dorë.

Fizarmonika që ai riparoi së fundi ishte e tipit Veltmeister, të cilën Shyqeriu e ka zbërthyer të tërën për t’ia rikthyer tingujt e bukur që lëshon ky instrument.

Edhe për dronë, Shyqa është ‘ekspert’.

Përdoruesit e dronëve nuk kanë nevojë t`i hedhin këto pajisje fluturuese, nëse kanë ndonjë defekt, sepse ato mund t`i riparojnë pa asnjë problem te mjeshtri Shyqeri Sahatçiu në Gjilan, i cili me duart e tij të arta, gjithçka rikthen në jetë. /MediaFokus/