Ky ishte filloristi shqiptar që ua prishi festën serbëve midis Pasjanit
Xheladin Ibrahimi (Xhelë Muçibaba) ishte fëmija i parë në fshatrat e Karadakut, që kishte vendosur të mos e pranonte analfabetizmin dhe ishte drejtuar në fshatin Pasjan, për të ndjekur shkollën në gjuhën serbe. Zgjidhje tjetër nuk kishte asokohe, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Në këtë mënyrë, ai kishte trasuar një rrugë të re për fëmijët tjerë të këtyre fshatrave të largëta të Gjilanit. Para tij, këtë nuk e kishte bërë askush tjetër.
Xhela nuk e kishte problem vetëm rrugën e gjatë që duhej të bënte i vetëm, deri në Pasjan, por edhe gjuhën në të cilën zhvillohej mësimi. Serbishten s`e dinte fare.
Për disa kohë, Xhela ishte i vetëm, mes të huajve, mes atyre që për shqiptarët gjithmonë kishin një urrejtje, herë të fshehur e herë-herë të hapur.
Më vonë iu bashkëngjit edhe Shaban Zymberi. Xhela ishte shumë i gëzuar që nuk e bënte më rrugën vetëm dhe kishte me kënd të ndërronte një fjalë në gjuhën amtare, jashtë orës mësimore. Për më tepër ishte i lumtur që po shkollohej edhe një fëmijë shqiptar.
Pasi kreu me sukses shkollën tetëvjeçare, Xhela u regjistrua në shkollën normale në Gjilan.
Pas vdekjes së babait, vuanin edhe për bukë
Derisa ishte gjallë, mësuesi Xhelë rrëfente ngjarje interesante nga jeta e tij përplot sfida.
“Babai vdiq dhe ne ngelëm tre jetimë. Shpeshherë nuk kishim bukë për të ngrënë. Nuk kisha zgjidhje tjetër, pos të kthehesha në shtëpi”.
Dikush e kishte nxitur që të kërkonte bursë, si fëmijë i vetëm në shkollimin e mesëm nga fshati. Për këtë, duhej të trokiste në dyert e Komitetit. Rrugë tjetër nuk kishte.
Shkollën e donte shumë, aq shumë sa filloren e kishte bërë në gjuhën serbe.
“Trokita në zyrat e shtetit dhe u befasova kur aty pashë personin që më kishte zënë për krahu, ditën e demonstratave dhe njëherë desha të largohem pa i treguar qëllimin e vizitës”.
Pas dy javësh, njoftohet se bursa i ishte ndarë. Më vonë kishte kuptuar se ai personi që ky ia pati frikën se do ta dërgonte në burg, kishte qenë Zija Novobërdalia.
“Gjesti i atij personi më bindi se të mes shqiptarëve që kanë punuar në atë sistem, ka pasur edhe të ndershëm dhe që janë munduar të ndihmojnë popullin e vetë”.
Beteja me serbët për këngën shqipe
Në gjithë këtë histori të papërfunduar, mësuesi Xhelë Muçibaba rikujtonte edhe një ngjarje tjetër, e cila ka ndodhur në fshatin Pasjan, ku ai kishte lëshuar një këngë shqipe, derisa serbët po kremtonin ditën e shkollës.
“Kah fundi i gazmendit, kur serbët filluan të nxehen nga alkooli, unë u ofrova te radioja dhe e lëshova një këngë folklorike. Me shpejtësi ka ardhur një arsimtar serb, e ka këput altoparlantin dhe më ka kërcënuar.
Drejtori i shkollës i kishte urdhëruar serbët të më rrahin për shkak se kisha lëshuar muzikë shqip midis fshatit serb, në ditën e shkollës, por në të vërtetë të rrahur përfunduan ata”.
Pas kësaj ngjarje, Xhelës i është dashur të shkojë në shkollë me revole. Xheladin Muçibaba është trashëgimtar i emrit të Xheladin Kurbalisë.
Mësuesi Xhelë nuk jeton më , por rrëfimet e tij për jetën, tregohen e rikujtohen edhe sot./Mediafokus.info

