Ky ishte njeriu që nuk e ndjeu vetminë në kasollen e tij
Banorët e anës së Sllakocit, Gadishit dhe Kishnapoles, ndonëse vendbanimet e tyre i kishin ndërtuar pas shtatë bjeshkëve, larg nga syri i pushtetit, asnjëherë gjatë historisë nuk i shpëtuan dhunës dhe terrorit së pushtuesve të ndryshëm, për çka shumë familje u detyruan të migrojnë gjithandej nëpër botë, raporton MediaFokus.info.
Gjatë aksionit të njohur të mbledhjes së armëve, në kohën e ish-Jugosllavisë, shumë fshatarë janë rrahur me dru deri në vdekje, ndërsa të tjerë, ose janë detyruar të dorëzojnë armët që i kishin e që nuk i kishin, ose të ikin nga vendlindja.
Banorët u desh t’i lënë shtëpitë dhe tokat e të ikin në Turqi, për të shpëtuar kokën, thotë mësuesi Ramadan Mehmeti.
Njëri ndër ta ishte edhe Brahim Sylë Ibrahimi, i cili për 30 vjet jetoi larg vëllezërve dhe bashkëfshatarëve dhe në fund u kthye në tokën e të parëve.
Dhuna ndaj shqiptarëve ka vazhduar edhe në vitet e mëvonshme, por ky popull nuk është gjunjëzuar asnjëherë, vazhdon Mehmeti.
Shkaku i padrejtësive ndaj shqiptarëve, që bënte pushteti sllav, shumë djem të Kishnapolës, si për të përligjur fatin e paraardhësve të tyre, u detyruan të migrojnë në Gjermani e Amerikë, siç ishte rasti i Rexhep Xhaklit, i cili e ndihmoi luftën e Kosovës, bashkë me shqiptarë të tjerë në Amerikë.
Xhakli dëshmoi se sado larg që të shkojë shqiptari, ai e ka në zemër gjithmonë vendlindjen e tij.
Natyra e kësaj ane ofron mundësi të mira për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, bletarisë dhe turizmit malor.
Në këto fshatra të rrethuara me kodrina të ngrohta dhe të pasura me ujëra të freskëta, bëhet gruri më i mirë se në tokat e Banatës në Vojvodinë, që njihen për grunoret.
Njerëzit e kësaj ane janë të lidhur fort me këto toka e me këto bjeshkë, që nuk mund t`ua kthejnë shpinën lehtë. I dashuruar në vendlindje ishte edhe Zenuni, i cili jetoi i vetëm, por nuk ia ktheu shpinën fshatit derisa vdiq. /MediaFokus/


