Ky ishte takimi i fundit i Ymer Demollit në Komitetin anti-COVID-19
Ymer Demolli, zyrtar komunal i Gjilanit, e ka humbur sot betejën me COVID-19, shkruan Mediafokus.info.
Demolli u përball për tri javë me virusin, por nuk arriti ta mposhtte.
Ai për 20 vjet punoi në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, derisa ishte edhe anëtar i Komitetit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, i themeluar me 13 mars 2020 nga kreu i kësaj Komune, Lutfi Haziri.
Haziri, përmes një telegrami ngushëllimi, e ka vlerësuar lartë angazhimin e Demollit kundër virusit që vetë nuk i mbijetoi.
“Së fundmi, Ymer Demolli ishte anëtar i Qendrës Operative Emergjente kundër COVID-19 dhe për më shumë se një vit u angazhua maksimalisht në pozitën e zyrtarit të planifikimit emergjent”, thuhej në telegramin e Hazirit.
Takimi i fundit i Ymer Demollit në këtë Komitet ishte ai i 24 marsit.
Dhimbje për ndarjen nga jeta të zyrtarit komunal ka shprehur edhe nënkryetari i kësaj Komune, Arbër Ismajli.
“Ymeri përveç që ishte një aktivist i pashoq i viteve të 90-ta, ai u angazhua jashtëzakonisht shumë në lëvizjen e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka shkruar Ismajli.
Ndryshe, Ymer Demolli ndërroi jetë sot në moshën 55-vjeçare, teksa po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë./Mediafokus.info/

