Ky prokuror rezulton pozitiv me COVID, rrëfen për Mediafokus si e ‘hetoi’ infeksionin
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Paulin Pashku, ka rezultuar pozitiv me COVID-19, raporton gazeta online Mediafokus.info.
Njeriu që ditë e natë heton raste të ndryshme në atë rajon, ka rrëfyer për Mediafokus.info si e ‘hetoi’ veten se diçka nuk është në rregull.
“Dje rreth orës 16:00, derisa isha duke u kthy prej Ferizajit për në Prishtinë, në momentin kur fillova me përtyp çamçakëz e ‘hetova’ se nuk isha duke e ndi shijen. Nji orë ma herët sa kisha pi kafe edhe krejt ishte OK”, ka rrëfyer prokurori Pashku për Mediafokus.info, teksa pasdite ka marrë konfirmimin nga IKSHP se ka rezultuar pozitiv.
Përpos humbjes së shijes, prokurori i shtetit ka konfirmuar se nuk ka asnjë simptomë tjetër dhe se po ndihet shumë mirë.
“Përndryshe, disa ditë ma herët e pata ndi nji dhembje t‘lehtë n’kambë, po pasi që merrem me ushtrime, pata mendue që ishte lodhje e zakonshme e muskujve”, ka thënë Pashku.
Përndryshe, Paulin Pashku është djali i shkrimtarit të madh, të ndjerit Anton Pashku./Mediafokus.info/

