La profesionin e gazetarisë për t’u bërë blegtor

Në shumë vende të botës ndodh që personazhe të njohur të botës së medias, artit apo kulturës, të marrin vendime “drastike” në dukje, duke hequr dorë nga gjithçka për t’ia nisur nga e para.

I tillë është edhe rasti i Eltonit, i cili pas më shumë se një dekade në televizion si gazetar investigativ, vendosi të lërë zhurmën e metropolit, “i joshur” nga qetësia e fshatit.

Ekipi i TRT Balkan vizitoi fermën e gomaricave të gazetarit, e cila është e para ne Shqipëri e këtij lloji.

“Në rininë e hershme ke nevojë për shumë vrull, ke shumë energji, ke ëndrra, do të ndërtosh një karrierë dhe të rendësh pas jetës moderne, jetës së qytetit. Pastaj vjen një periudhë e dytë ku ti ke nevojë më shumë për qetësi dhe relaks. Këtë ferma ma ka dhënë plotësisht” shprehet Eltoni.

Gazetari tregon se kur e ka ndarë vendimin e tij me familjarët dhe miqtë, nuk ka pasur mbështetje, e se ka qenë e vështirë t’ua përcjellë atyre vizionin e tij.

“Patjetër që ishte shok për familjarët e mi! Nuk e mbështetën. Njerëzit më të afërm të familjes sime më thanë: ‘Jo, mos e lër gazetarinë! Mos u merr me fshatin, s’ka fitim në fshat. Mos u merr me kafshët… nuk je ti, nuk është gjëja jote kjo, ti je një njeri tjetër!’” shpjegon gazetari.

Eltoni vendosi të investojë në tokën e trashëguar nga familja në fshatin Papër të Elbasanit, ku punon prej 5 vitesh tanimë.

“Atyre që janë në qytet u sugjeroj që të marrin njëlloj edukimi dhe të konsiderojnë investimin në fshat dhe nuk është puna vetëm kudo ku ka një zyrë dhe një kompjuter. Në mentalitet, për ta ndryshuar, një i ri i fshatit duhet të shkojë te qyteti, te edukimi, te studimet, te trajnimi i vetvetes, te ndryshimi i mënyrës se si mendon vetë. Pastaj kthehu dhe investo në fshat. Nuk është më fshati fitimprurës, apo nuk mund të zhvillohet me të njëjtin mentalitet që gjyshërit tanë kanë pasur. Duhet diçka e re ta sjellim në fshat…” thotë Eltoni, bazuar nga eksperienca e tij personale e ndërthurjes së qytetit me fshatin.