Lajçak arrin në ndërtesën e Qeverisë, nis takimin me Kurtin
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tashmë ka arritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku do të zhvillojë takim me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak thuhet se para takimit me Kurti ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Kurti ndërkaq ka arritur në ndërtesën e Qeverisë, pas Lajçakut pesë minuta me vonesë, raporton Telegrafi.
Nuk është bërë e ditur nëse pas takimit do të ketë konferencë për media.
Një ditë pas vizitës në Kosovë, Lajçak do të shkojë edhe në Serbi.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar këto vizita dhe ka thënë se po bëhen për të përgatitur hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Lajçak, udhëton rregullisht në rajon dhe viziton shpesh Prishtinën dhe Beogradin, posaçërisht pas takimeve të nivelit të lartë në Bruksel, për të vazhduar përparimin në atë që është arritur apo për çfarë është pajtuar në Bruksel dhe për të përgatitur hapat e radhës”, tha Stano.
“Në këtë kontekst, mund të konfirmoj se ai do të jetë të enjten në Prishtinë dhe të premten në Beograd”, shtoi ai.
Më 2 maj në Bruksel palët ranë dakord për Deklaratën për të Zhdukurit ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.
Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ekipi menaxhues.

