Lajçak flet pas takimit me Kurtin: Asociacioni, normalizimi dhe hapat e radhës pas 2 majit

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka përfunduar takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Pas takimit, Lajçak ka thënë para gazetarëve se ka ardhur në Prishtinë për të shikuar rrugën përpara pas takimit që ndodhi më 2 maj.

Ai ka bërë të ditur se të hënë do të ketë një takim ndërmjet kryenegociatorëve, pra ndërmjet Besnik Bislimit e Petar Petkoviq, raporton Nacionale.

“Kam ardhur në Prishtinë të diskutoj me kryeministrin Kurti e zv/kryeminsitrin Bislimi, rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit më 2 maj. Kanë qenë diskutime të rëndësishme në të gjitha aspektet, të njëjtat diskutime do ti kem edhe nesër në Beograd. Do t’i takoj Bislimin e Petkoviqin të hënën në Bruksel, kjo është e rëndësishme. Kemi marrëveshjen kemi ankesin dhe duhet të kemi mirëkuptim të qartë për hapin 1, hapin 2, hapin 3”, tha Lajçak para gazetarëve.

“Do të shkojë në Mitrovicën e Veriut, dua të kem informacionet e dorës së parë atje, dhe besoj që do të kemi zgjidhje politike që do të na mundësojë të dakordohemi për zbatimin e marrëveshjeve”, tha më tutje ai.

Lajçak tha se interesi i të gjitha palëve është që të mos ketë eskalim, por normalizim të raporteve.

“Ne mund të kemi vetëm normalizim ose konfrontim. Ne duam të fokusohemi në normalizim, dhe duam të shangim ndonjë eskalim apo konfrontim. Kjo nuk është interes i askujt”, tha më tutje Lajçak.

Emisari i BE-së për dialogun bëri të ditur se në takim kanë prezantuar qëndrimin e BE-së lidhur me draftin e Asociacionit. Ai tha se ka një pajtim me Kurtin lidhur me këtë proces.

Lajçak bëri të ditur se sot do të takohet edhe me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.

“Ne diskutuam si BE-ja e sheh procesin e draftit të Asociacionit me Kurtin, dhe mendoj se e kemi të qartë këtë proces. Do të shkoj në veri pasi është në interesin tim pasi e shoh të nevojshme të takohem me kryetarin Hamza dhe ta shoh perspektivën e tij. Puna e ndërmjetësuesit është të gjejë mesin, dhe këtë po e bëj”, tha ai, transmeton nacionale.

“Çka është e pranueshme për BE-në është çka bazohet në vlerat dhe ligjet e BE-së, dhe që është në koordinim me modelet e BE-së”, deklaroi Miroslav Lajçak.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të prezantuar nga Ekipi Menaxhues, emisari Lajçak e quajti “pikënisje të rëndësishme për diskutimet në vijim në nivelin e kryenegociatorëve,”

Deklarata në fjalë kishte prodhuar një reagim të ashpër nga kryekuvendari Glauk Konjufca, që i kishte thënë këto fjalë:

“Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë mund të themi ne mirupafshim, se nuk ka interes këtu.”

Kjo nxiti shumë aktivistë e deputetë të Vetëvendosjes që të shpërndanin e zgjatonin këto fjalë në kundërshtim të Lajçakut.

Por, përplasja në lidhje me ekipin menaxhues kishte nisur edhe më herët.

Në takimin e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes serbe Aleksandër Vuçiq u prezantua edhe draft-statuti i Asociacionit nga ekipi menaxhues.

Menjëherë më pas, Qeveria Kurti vendosi që të largonte nga detyra anëtarët e këtij ekipi. Por, kjo prodhoi një ‘piskamë’ të fortë nga BE-ja, që përmes zëdhënësit Peter Stano i tha edhe këto fjalë të ashpra:

“…vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel germën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,”