Lajçak thotë se Kurti e Vuçiq kualifikohen për Nobel nëse ka marrëveshje

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, ka thënë se në rast se finalizohet marrëveshja mes dy vendeve, kryeministri Albin Kurti e presidenti Aleksandër Vuçiq, kualifikohen për Çmimin Nobel të Paqes.

Madje, Lajçak në një intervistë për BBC, edicioni serbisht, u shpreh se nuk ka asnjë dyshim për këtë.

“Normalizimi i marrëdhënieve sigurisht që do t’i kualifikonte dy liderët për çmimin Nobel, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, ka thënë ai.

BBC ka përmendur faktin se e njëjta gjë, shpresohej edhe në vitin 2018, kur në tavolinën e negociatave uleshin ish-presidenti Hashim Thaçi dhe Vuçiq.

Atë kohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, kishte përmendur një gjë të tillë, duke thënë se Thaçi e Vuçiq mund të kualifikohen për Çmimin Nobel për Paqe, në rast të një marrëveshje të suksesshme.