Lajm i mirë për banorët e soliterit dhe Radio-Gjilanit
Punimet për rregullimin e çatisë së soliterit të parë në Gjilan, janë mirëpritur nga banorët e 13-katëshes si dhe punonjësit e Radio-Gjilanit, që ambientet e punës i ka në këtë objekt.
Me vite të tëra banorët e kateve të larta kanë qenë në hall me shiun dhe lagështinë.
Komuna e Gjilanit ka marrë përsipër rregullimin e kulmit, ndërsa punimet po i kryen ‘MehUka-compani’.
Ibrahimi Klaiqi, banor i katit të 12-të, por edhe të gjithë të tjerët, sot u panë të lumtur që po u rregullohet kulmi dhe falënderuan Komunën e Gjilanit për këtë ndihmë të madhe që po ua bën atyre.
Edhe Musa Huruglica, banor i Soliterit tha për Radio-Gjilan se po të mos kishte ndihmuar komuna, banesat e kateve të sipërme, sidomos dy katet e fundit, do të shkatërroheshin nga shiu dhe lagështia e madhe.
Po ashtu edhe në lokalet e Radio-Gjilanit, që gjenden në katin e 13-të, pas këtij renovimi nuk do të pikojë më uji i shiut, ku ka shkaktuar telashe pikërisht para studiove të transmetimit.
Nijazi Selimi, redaktor përgjegjës në Radio-Gjilan, ka thënë se pas luftës, kulmi i soliterit ishte renovuar, mirëpo nuk e kishte mbajtur as shiun e parë.
“Të shpresojmë që ky renovim do të jetë i mirë dhe uji nuk do të pikojë më në banesat e soliterit dhe as lokalet e Radio-Gjilanit, që dikur ishte objekti më i bukur dhe më i lartë në rajon.
Zaten, problem të njëjtë kanë edhe banorët e lagjes Iliria, ku objektet e banimit kolektiv pikojnë dhe janë degraduar së tepërmi.
Një pjesë e banesave tashmë janë privatizuar, por kompleksi është ndërtuar dhe ka funksionuar për shumë vite si banim shoqëror, ndërsa prona edhe tani i përket Komunës. /Foto: Radio-Gjilani/

