Lajm i mirë për Kosovën, por i keq për Serbinë

Ridvan Bunjaku

Kur jemi te festivali “Mirëdita, dobar dan!”, vitin e kaluar shkova në promovimin e një vëllimi të librave “Serbia tjetër” të përzgjedhur e përkthyer nga Shkëlzen Gashi, të një autori serb me vetëdije të lartë, një avokat.

Kjo ndodhi në Grand, Prishtinë.

Në panel ishin Shkëlzeni, një serbe që me sa duket jetonte dhe vepronte në Serbi, një serb që me sa duket punonte në struktura të BE-së dhe një shkrimtar shqiptar (ndjesë por s’po më kujtohet emri).

Moderatorja na tregoi se mund të bëjmë pyetje, dhe pas disa pyetjeve, e mora fjalën dhe e thashë afërsisht këtë:

Kohëve të fundit e kom lexu Tolstojin dhe aty e kom kuptu që Kisha Ortodokse Ruse e keqpërdor fenë dhe se nuk i zbaton mësimet që i ka mësu Jezusi.

Dhe me sa duket këtë e bën edhe Kisha Ortodokse Serbe.

Jezusi mëson për dashuri e falje, por krejt çka kemi marrë ne (shqiptarët) nga serbët është urrejtje e gjëra të këqija.

Pyetja ime është: Çka predikohet në Kishat Serbe në Serbi?

Pyetja është për serbët në panel.

Ra një heshtje disaminutëshe. Pastaj e mori fjalën serbja e cila m’u duk mjaft e sinqertë.

Ajo tha afërisht: Nuk po ndihem kompetente me folë në emër të Kishës Ortodokse Serbe, por mund t’jua tregoj përshtypjet e mija.

Aty i mësojnë me qenë kundër të gjithëve, m’i urrejtë të gjithë: boshnjakët, kroatët, amerikanët, të gjithë. Nuk e kanë specifikisht me Kosovën.

Ky është lajm i mirë për Kosovën, por shumë i keq për Serbinë.

Madje edhe fëmijët që shkojnë në mësim-besim u thonë fëmijëve që nuk shkojnë në mësim-besim: “Ti do të shkosh në ferr!”.