Lajm i mirë për pensionistët, kalon Ligji me ndryshime, pritet miratimi në Kuvend
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka shpalosur detaje për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, shkruan Gazeta Express.
Ai tha se përmes këtij projektligji e kanë hequr kushtin 15 vjet stazh pune për të përfituar pension.
“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu si kusht 15 vjet stazh punë, mirëpo nuk janë marrë parasysh rrethanat e largimit të dhunshëm nga puna të atyre që kanë qenë duke punuar nga viti 1989 dhe më pastaj me hyrjen në fuqi të masave të dhunshme.
Si rezultat i largimit të dhunshëm, kanë mbetur shumë punëtorë të cilët kanë kontribuar me 14 vite e 11 muaj e që me largim nga puna nuk kanë mundur që ta plotësojnë kushtin prej 15 vitesh.
Me plotësim-ndryshimin e këtij ligji ne do ta zhbëjmë atë diskriminim sepse do t’u mundësohet që për periudhën që nga koha kur janë larguar nga puna e deri në janar të vitit 1999, këtu llogaritet drejt plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, e pastaj lartësia e pensionit bazuar në vitet që kanë kontribuar në Fondin Pensional”, ka thënë Murati.
Për këto pensione, Murati tha se parashihet që për një vit të plotë të shpenzohen 60 milionë euro.
Sipas tij nga ky ndryshim do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se përmes këtij ligji parashihet trajtimi i barabarte për të gjithë përfituesit e pensionit të viteve të 90’.
Plotësim-ndryshimet në këtë Ligj pritet që të miratohen tash në Kuvendin e Kosovës.

