Latifi: Ndërtuesit kryesorë të kalldrëmeve ishin shqiptarë

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka bërë një analizë të shkurtër pasi rruga “2 Korriku” në Prishtinë u shndërrua në rrugë me kalldrëm, e cila do jetë me mundësi kalimi vetëm për këmbësorë.

Transformimi i rrugës që ndryshe quhet te “Kafet e Rakisë” siç duket po iu pëlqen qytetarëve dhe sipas tyre, pamja e re po u ngjason me Prishtinën e vjetër.

Komplimentet për këtë projekt të komunës i shprehu edhe vetë Latifi, i cili u shpreh se ky vend është ikonik për Prishtinën.

“Më pëlqeu rregullimi që Komuna e Prishtinës i kishte bërë hapësirës te “Kafet e Rakisë”. Ky vend është ikonik për qytetin e Prishtinës. Heqja e asfaltit të shëmtuar që ishte aty dhe shtrimi me kalldrëm ia ka shtuar edhe më shumë vlerat”, shkroi ai në Facebook.

Latifi tha një detaj interesant ku tregon se në Perandorinë Osmane, ndërtuesit kryesorë të kalldrëmeve ishin mjeshtërit shqiptarë.

“Si gjithmonë kalldrëmi të jep shijen e qyteteve të vjetra. Kjo fjalë ka origjinë greke, nga kalos që dmth e bukur, dhe dromos qe dmth rrugë. Pra rrugë e bukur. Kjo domethënie reflekton faktin se në kohët paramoderne kalldrëmet ishin rrugët më të mira. Pastaj erdhi asfalti dhe e errësoi lavdinë e tyre. Në Perandorinë Osmane ndërtuesit kryesorë të kalldrëmeve ishin mjeshtërit shqiptarë, prandaj edhe quhej “kalldrëmi i shqiptarëve” (Arnavut kaldırımı)”, shtoi ai.