LDK dorëzon sot në Polici dëshmitë për njehsorët elektrikë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se sot do t’i dorëzojë në Polici të gjitha dëshmitë lidhur me siç e ka quajtur “skandalin me njehsorët elektrikë”.
Dorëzimi do të bëhet nga deputeti Visar Azemi, në orën 09:00, në Stacionin Policor në Prishtinë.
Dy ditë më parë, Azemi ka kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave. Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve, sidomos në rastet me dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime për pengim të hetimeve.
Deputeti i LDK-së ka kërkuar pezullimin e veprimeve të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave.
Ndërkohë gjatë një konference për media të mëhershme, Lidhja Demokratike të Kosovës ka ngritur akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.

