LDK e Gjilanit emëron Gresa Avdiun zëdhënëse të Degës

Asambleistja Gresa Avdiu është emëruar zëdhënëse e Degës së LDK-së në Gjilan.

Kjo u bë e ditur në një komunikatë që kjo parti e ka dërguar për media.

Komunikata e plotë e Degës së LDK-së në Gjilan:

LDK vazhdon t’i paraqes 101 problemet komunale, neglizhencë e paparë në zgjerimin e rrugës Gjilan-Bujanoc

Në kuadër të paraqitjes së 101 problemeve komunale, sot në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, problemin e tretë me radhë pas problemit të parë të pasqyruar që është Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe problemit të dytë që është moszbatimi i vendimeve të Kuvendit Komunal për shoqatat e personave me aftësi të kufizuar, e paraqiti zëdhënësja e LDK-së në Gjilan, znj. Gresa Avdiu.

Ajo ngriti shqetësimin për vonesat në përfundimin e rrugës Gjilan- Bujanoc, projekt ky i nisur në qeverisjen tonë e që nuk po përfundon ende, pavarësisht premtimit të këtij ekzekutivi se do të përfundojë në korrik të vitit 2023.

“Këtë projekt e kanë përgjysmuar, sepse nuk i kanë vazhduar punimet për zgjerimin e rrugës deri në fshatin Dobercan, ashtu siç ishte paraparë. Përveç qytetarëve që e kalojnë këtë rrugë çdo ditë, përveç banorëve të kësaj ane, kjo rrugë vështirësi të mëdha paraqet edhe për bizneset në këtë zonë. Tash e sa vite kjo rrugë e mundimshme është bërë edhe për bashkatdhetarët tanë, sepse intensifikimi i punimeve po bëhet pikërisht kur ata janë këtu. Një neglizhencë e paparë e Ministrisë së Infrastrukturës, e një heshtje e pakuptimtë e Komunës së Gjilanit, po shkaktojnë vonesa të mëdha në punët finale”,- tha Avdiu para medieve.

Gjilani meriton më shumë!

Gjilani meriton më mirë!

Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan,

20 korrik 2024