LDK e Gjilanit shënon 34-vjetorin, Lutfi Haziri thotë se do të ndodhë rikthimi i madh

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës shënon sot 34-vjetorin e themelimit. Kryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pos urimit, ka thënë se mobilizimi i jashtëzakonshëm i Rugovistëve do ta shkaktojë rikthimin e madh.

Postimi i plotë i Hazirit:

34 vjet me LDK në Gjilan, mobilizimi i jashtëzakonshëm i Rugovistëve do ta shkaktojë rikthimin e madh

Në ditën e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, shpreh falënderim për të gjithë burrat e gratë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm e sakrificën deri në flijim.

Në këtë përvjetor, i falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha dhe për të realizuar ëndrra. I falemi dr. Ibrahim Rugovës.

Kuvendit themelues të Degës së LDK-së më 4 mars 1990 i parapriu Këshilli nismëtar për themelim, më 12 janar 1990, ndërsa më 7 dhe 8 mars themelohen edhe Forumi i Rinisë dhe Forumi i Gruas.

Rezistenca politike, organizimi i Republikës së 2 Korrikut si bërthama e parë e administratës përmes Këshillave komunalë, ushtrisë dhe policisë, janë sinonim i LDK-së, sikurse edhe solidariteti dhe ndarja e maxhës dhe kuletës mes vete në çdo familje.

Sot, në vitin 35-të, mund të them se LDK është partia e vetme si burim stabiliteti për të gjithë, për liri të plotë, pavarësi në gjithë Republikën dhe demokraci për të gjithë.

Rruga e Re për Gjilanin e gjelbër 2030, Konventa programore, listat iniciale për deputetë dhe këshilltarë komunalë, do të jenë prioriteti i vetëm sepse Anamorava gjithmonë ka qenë në rrugën e saj e pathyeshme dhe me sakrificë.

Ka ardhur koha që edhe ata që e humbën besimin t’i kthehen familjes politike në frymën e unitetit të gjeneratave, për ta bërë Gjilanin dhe Anamoravën e zhvilluar, si qendër ekonomike, arsimore e politike.

Jam shumë i lumtur me mobilizimin e jashtëzakonshëm të Rugovistëve për rikthimin e madh të LDK-së në Gjilan, Anamoravë dhe Republikë.

Urime 34-vjetori i LDK-së!