LDK e PDK nënshkruajnë marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje në Gjilan
LDK e PDK kanë nënshkruar sot marrëveshje për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme në Gjilan. Siç dihet kandidati i LDK-së, Arbër Ismajli, është në garën e balotazhit për kryetar Komune.
Sot nënshkruam një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme në Gjilan, që reflekton vullnetin e qytetarëve për unitet, profesionalizëm dhe mirëqenie.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një qeverisjeje që bashkon, që punon me transparencë dhe që vendos interesin publik mbi gjithçka. Qeverisja që duam është ajo që i shërben qytetarëve pa dallime, me vizion dhe përgjegjësi.
Falënderim të veçantë për z. Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan, dhe z. Riad Rashiti, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, për gatishmërinë, vizionin dhe frymën e bashkëpunimit që po e ndërtojmë bashkë për të mirën e qytetit tonë.
Gjilani i ri meriton stabilitet, zhvillim dhe udhëheqje që bashkon. Dhe këtë do ta bëjmë bashkë me besim në Zot, me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve tanë, ka shkruar Arbër Ismajli, kandidat për kryetar.

