LDK i reagon VV-së: KOSTT është aset i qytetarëve, prapë pagesa bëhet nga xhepat e qytetarëve të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me propozimin mbi pagesën e energjisë elektrike në veri të vendit.

Nga LDK kanë thënë propozimi i sotëm i deputetëve të VV-së në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti që KOSTT të mbulojë shpenzimet e rrymës për konsumatorët në veri të vendit tregon qartë se Qeveria Kurti po ndërmerr të gjitha veprimet që i kishte kundërshtuar në të kaluarën.

“Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Madje, në kohën tonë të përbashkët opozitare, kishim bashkëorganizuar interpelancë ndaj qeverisë së PAN-it; e cila kishte nisur këtë praktikë.Tani që është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut – duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim”, u tha nga LDK-ja.

Poashtu u tha se pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT e se KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës prandaj e njëjta bëhet nga xhepat e këtyre qytetarëve.

“Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës; prandaj e njëjta bëhet nga xhepat e qytetarëve të Kosovës. Për më tepër, brenda këtyre gjashtë muajve Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthej këto mjete KOSTT-it. Pra, pavarësisht nëse sot paguan KOSTT e pas gjashtë muajsh paguan Qeveria, paratë dalin nga pasuria e qytetarëve të Kosovës.Ky vazhdim pagese tregon poashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në Veri e frika e kthimit të “policëve në arkivol” është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë”, thuhet në reagim, transmeton lajmi.net.

Nga LDK u tha se kjo parti do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë.

“LDK poashtu përkujton të gjithë qytetarët e Kosovës se pavarësia energjetike e Kosovës është mbyllur tashmë dhe se qeveria e re duhet me profesionalizëm të mirëmbaj këtë pavarësi”.