LDK insiston: Qeveria njëvjeçare teknike, pa liderë – zgjidhje për situatën aktuale
Krenar Xhaferi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se partia e tij qëndron pas propozimit që si zgjidhje për ngërçin e shkaktuar politik është formimi i një qeverie teknike, pa përfshirjen e liderëve politikë, për një vit.
Ai ka thënë për “60 Minuta” në KTV të premten se LDK-ja do të votojë kundër propozimit për formimin e Qeverisë Kurti 3 të dielën në Kuvend. Xhaferi ka akuzuar Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj Albin Kurti për mungesë të pjekurisë politike.
“Ne kemi qenë të qartë që nga fillimi. Nuk kemi marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe do të jemi të pranishëm e do të votojmë kundër formimit të Qeverisë së re. Unë besoj se Kurti do të duhej këto ditë t’i shfrytëzonte për diskutime me partitë që kanë shprehur vullnet politik në këtë drejtim, por nuk kemi parë interesim të tillë dhe siç po duket nuk do të ketë qeveri Kurti 3”, ka thënë ai. “Mendoj se Qeveria Kurti dhe VV-ja janë treguar të papjekur politikisht në një situatë të tillë sepse liderët politikë duhet të shohin përtej vetvetes, për interes shtetëror edhe në një situatë të tillë politike në të cilën jemi, që nuk ka numra për krijimin e qeverisë së re”.
Xhaferi ka thënë se nuk pret përpjekje nga opozita që ta formojë Qeverinë, nëse Kurti dështon të dielën. E sipas tij, kjo çon drejt zgjedhjeve, për të cilat ka thënë se me “një logjikë të thjeshtë s’do të duhej” të vinin. Ai ka thënë se ka “shumë formula” që të dilet nga situata.
“Ne mund të prodhojmë zgjedhje të reja, do të ketë momentum të njëjtë pothuajse, me më pak numra për Lëvizjen Vetëvendosje, por do të prodhohet një situatë e njëjtë pas zgjedhjeve. Ne si LDK kemi propozuar qeveri të përbashkët, teknike, me liderët larg qeverisë së zgjedhur”, ka thënë ai duke shtuar se kjo qeveri do të duhej të zgjaste një vit deri në zgjidhjen e tri çështjeve. Këtu Xhaferi ka thënë se qeveria teknike do të duhej të punonte në zgjidhjen e çështjes ekonomike. “Ne jemi buzë kolapsit ekonomik”, ka thënë ai. Tutje ai ka vlerësuar se qeveria teknike do të duhej të merrej me përmirësim të raporteve me partnerët perëndimorë dhe në fund edhe zgjidhjen e çështjes së presidentit, pasi Vjosa Osmanit i skadon mandati në mars.
“Në një logjikë që lideri politik mendon përtej vetvetes do të duhej të pranonte një qeveri njëvjeçare e pas saj të krijohet situatë e re politike – vendi do të mund të prodhonte qeveri të re. Me formatin që jemi mund të shkojmë në shumë palë zgjedhje, por jo në zgjidhje të problemit”, ka thënë në fund ai.
Seanca e jashtëzakonshme për çështjen e qeverisë do të mbahet të dielën me fillim prej orës 10:00.

