LDK kërkon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të Qeverisë Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të Qeverisë Kurti.

Përmes një komunikate për media, LDK ka ngritur me shqetësim fenomenin e kontratave direkte të Qeverisë së Kosovës dhe kanë njoftuar se vetëm në këtë mandat u zbuluan 781 kontrata njëburimore të nivelit qendror në vlerë prej 209 milionë euro.

Nënkryetarja Bajrami ka deklaruar në Kuvend se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në mesin e 781 kontratave me negocim direkt, në Telekomin e Kosovës figurojnë 28 kontrata të tilla në vlerë prej 21,310,000 EUR nga marsi i vitit 2021 deri në janar të vitit 2024.

LDK ka njoftuar se vërtetësinë e këtij fakti mund ta konfirmoni lehtësisht në listën e KRPP, të cilën e gjeni në vegëzen më poshtë.

“Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të kësaj qeverie. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucional ligjor e kushtetues deri në zbardhjen e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim. Njëkohësisht, kërkojmë nga pushteti që të mos i shfrytëzoj ndërmarrjet publike si mjete për propaganda partiake, por të përballet me ne aty ku e ka vendin – në Kuvend”, ka shkruar LDK.