LDK: Prej kunatave, balldëskave e baxhanakëve, tani punësohen edhe bashkëshortet

LDK në Gjilan ka reaguar në lidhje me punësimin në QKMF të bashkëshortes së drejtorit të këtij institucioni shëndetësor  duke kërkuar që organet kompetente, përfshirë prokurorinë dhe institucionet përgjegjëse, të ndërhyjnë dhe të hetojnë këto çështje, duke ndaluar çdo përpjekje për të favorizuar individë dhe familjarë pa procedura dhe konkurse të rregullta.

Ne jemi të tronditur nga parregullsitë që janë shfaqur kohët e fundit dhe dëshirojmë të sqarojmë njëherë e mirë situatën për publikun lidhur me profesionin dhe karrierën e znj. Merita Kamberit.

Znj.Merita Kamberi ka punuar si mësuese mbështetëse në shkollën “Thimi Mitko” dhe jo si psikologe, siç është raportuar gabimisht.

Gjatë kësaj periudhe, ajo ka ofruar mbështetje arsimore për fëmijët me nevoja të veçanta, duke siguruar mundësi të barabarta për zhvillimin e aftësive të tyre dhe integrimin në aktivitete mësimore.

Nuk ka pasur asnjëherë angazhim të znj. Merita Kamberit për të ushtruar funksionin e psikologes në shkollën “Thimi Mitko”, dhe çdo pretendim përkundër këtij fakti është i pabazuar dhe i pavërtetë.

Për sa i përket kalimit të saj në QKMF, ende nuk është e qartë kush e ka nënshkruar kontratën për pozitën e psikologes klinike.

A është nënshkruar nga bashkëshorti i saj, i cili është aktualisht U.D. i drejtorit, apo nga dikush tjetër?

Ky trend i dyshimtë ngre pyetje të tjera të rëndësishme, si: “Kush i ka nënshkruar këto kontrata?”.

Ne kërkojmë që organet kompetente, përfshirë prokurorinë dhe institucionet përgjegjëse, të ndërhyjnë dhe të hetojnë këto çështje, duke ndaluar çdo përpjekje për të favorizuar individë dhe familjarë pa procedura dhe konkurse të rregullta.

Ky trend i dëmshëm i abuzimit me pozita dhe procedura administrative nuk duhet të ketë vend.

Shkeljet e këtij lloji po e vënë në dyshim integritetin dhe besimin në sistemin publik.

Kërkojmë që të merren masa urgjente dhe të ndalohen këto abuzime, që po i shkaktojnë dëm jo vetëm individëve, por edhe shoqërisë si tërësi.

Për më tepër, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të marrin masa konkrete për të siguruar transparencën dhe drejtësinë në çdo proces administrativ dhe punësim publik.