“Kjo nuk lejohet, LDK te shkolla nuk lejohet, rreth shkollës nuk lejohet”, i tha Sveçla qytetarit.

Në përgjigje, qytetari i është drejtuar atij duke i thënë: “Ti me më fotografu nuk lejohet, ministër duhesh me i ditë ligjet ma i mirë, shihemi në gjykatë Xhelal”.

Më pas, Sveçla e fotografoi dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Për këtë rast, Sveçla ka reaguar edhe përmes një postimi në Facebook.

“‘Institucionalistët’ në shkelje të ligjit për zgjedhjet para qendrës së votimit me simbol partiak. Panik!”, ka shkruar ai.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka dënuar “sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese” të Sveçlës ndaj aktivistit që, sipas tyre, “po qëndronte qetësisht në trotuar”.

Kështu ka bërë të ditur anëtari i LDK-së, Besian Mustafa, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Në reagimin e LDK-së thuhet se Sveçla ka ndaluar qytetarin dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij – veprim që, sipas tyre, përbën shkelje të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut.

“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Tutje, kjo parti ka theksuar se aktivistët, anëtarët dhe çdo qytetar i Republikës së Kosovës “ka të drejtë të jetojë e të shprehet i lirë, pa frikë, presion apo intimidim”.

“Sjellje të tilla përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të standardeve demokratike dhe janë të papranueshme nga kushdo që ka mbajtur apo mban funksione publike. I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor. LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj respektit, kulturës demokratike dhe standardeve që e kanë ndërtuar këtë vend”, përfundon reagimi i LDK-së.