“Lexo edhe nëse je duke u mbytur”
(Leximi është dritë, që na e pasuron mendjen, e mendja ndriçon botën dhe na largon nga injoranca).
Leximi është sekreti i përparimit të popujve!
Të fillojmë ditët dhe muajin e parë të vitit me lexim ngase kështu do të na shkojë viti mbarë si shoqëri dhe si komb dhe të korrim rezultate dhe të mburremi para kombeve e vendeve tjera.
Të stimulojmë dhe nxisim për lexim sidomos fëmijët dhe studentët tanë ngase vetëm kështu do të mund të ngritemi dhe lartësohemi e vlerësohemi nga të tjerët.
Të gjithë prindërit, shkolla, mësuesit të përkrahim dhe jemi shembull për të tjerët për lexim.
Leximin e kemi urdhër edhe nga Zoti i madhërishëm e që gjëja parë me të cilën urdhëroi krijesën njeri ishte “Lexo dhe studio me emrin e Zotit Tënd” (Kur’an).
Leximi është kulturë para se gjithash e kush lexon ka edukuar, arsimuar dhe ngritur veten në raport me të tjerët, ngase leximi është dritë që na nxjerrë nga errësira dhe na shpije kah e vërteta, e duhura dhe e drejta.
Leximi na bën të njohim të panjohurën, të zhvillojmë imagjinatën, të menduarit kritik dhe jo vetëm.
Kultura e të lexuarit padyshim se krijohet dhe vetëm se shtohet kur njeriu vjen nga një rreth ku leximi është pjesë integrale e jetës së asaj familje, rrethi, shoqërie e kombi.
Dëshira për të lexuar duhet të brymoset nga fëmijëria e hershme dhe dëshira për lexim natyrshëm duhet të rritet me rritjen e individit ngase leximi ka vlerë të madhe dhe të veçantë e cila na ndihmon për të njohur e kuptuar fillimisht veten tonë pastaj edhe të tjerët ngase vetëm përmes leximit zhvillohen aftësitë e njohjes dhe të kuptuarit e drejtë.
Të lexosh do të thotë të hapësh një derë të një bote të panjohur pasi leximi pasuron dhe ndriçon jetën, na e mundëson të shprehim mendimet tona, bindjet tona karshi një bote që udhëhiqet nga mendimet dhe bindjet e të tjerëve.
Përfitimet nga leximi janë të shumta, e besa e pamundur të numërosh mirësitë që vijnë përgjatë të lexuarit ngase sipas shumë hulumtimeve një njeri që lexon do të rritet dhe ndërton vetëbesim në vete dhe do jetë më social në raport me të tjerët, do të ketë një fjalor shumë më të pasur i cili lehtë dallon nga të tjerët, do të ketë një fillim të mbarë të jetës si dhe do rritet e zhvillohet si një njeri aktiv i cili do të jetë i orientuar qartë dhe drejtë objektivave të tij me vizion për jetën e tij.
Andaj të gjithë ne duke filluar nga prindërit, familja, rrethi, shkolla e shoqëria të nxisim dhe stimulojmë të tjerët për lexim dhe dije.
Të stimulojmë leximin, dijen, dhe dashurinë ndaj librit duke përdorur forma e metoda të ndryshme sidomos te gjeneratat e reja të cilat premtojnë dhe pritet shumë prej tyre.
Uroj që shoqëria jonë të zgjohet nga gjumi i thellë dhe të kthehemi librit e leximit ngase vetëm me lexim e dije kemi të drejtë dhe mund të mburremi para kombeve e popujve e vetëm kështu ngritemi dhe mund arrijmë synimet tona në shkencë, art, kulturë, teknologji si komb e si shoqëri.
Blerim SHERIFI
(Autori është profesor i Gjuhës Angleze, PhD Candidate)
