“Liberalizimi mund t’i sjellë vota VV-së, por do ta humbë votën e diasporës”
Paralajmërimi i eksponentëve të Bashkimit Europian për mundësinë që kosovarët së shpejti të lëvizin pa viza në shtetet e Europës, është komentuar në mënyra të ndryshme, shkruan Mediafokus.info.
Një ish-deputet i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, ka bërë një analizë interesante, duke thënë se liberalizimi mund t’i sjell vota brenda Kosovës partisë në pushtet, por parasheh që të humb votën e diasporës.
“Liberalizimi ndoshta ka me e fitue ndoj votë mrena, por ka me e humbë votën e diasporës, se kanë me ia marrë inat qeverisë që ia mundësoi secilit me jau teshë tuj dalë te kushërit në Evropë, me jau zanë derë”, shkruan Ismaili në profilin e tij në Facebook, përcjellë mediafokus.info.
Madje, ai parasheh edhe më pak remitenca (dergesat nga diaspora).
“Nime, edhe remitencë më pak ka me pasë, tuj i rujtë paret kur të vijnë kushat n’vizitë, e kushtojnë 6-fish ma shtrenjtë me i majtë në shpi, sesa me jau çue një 300-she në muej”, ka thënë Ismaili.
Ndryshe, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se anëtarët e BE-së besojnë se Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë.
Diplomati theksoi se nuk mund të thoshte një datë të saktë, por është i bindur se momenti i liberalizimit të vizave për Kosovën është shumë afër./mediafokus.info/

