Lidhja Rajonale e Futbollit i dorëzon 15 mijë euro familjes Abazi
Lidhja Rajonale e Futbollit në Gjilan, nga aksioni humanitar që e kishte nisur një muaj më parë, ka arritur t’i grumbullojë 14 mijë e 905 euro në mbështetje ndaj familjes Abazi, e cila në tërmetin e Shqipërisë humbi dy djemtë e saj, Isën dhe Shemsedinin.
Kryetari i Lidhjes Rajonale, Malazog Hoxha, ka konfirmuar për Mediafokus.info se këtë shumë ia kanë dorëzuar familjes Abazi të hënën dhe me këtë edhe është mbyllur llogaria zyrtare bankare.
“Për një muaj nga aksioni që e kemi nisur si Lidhje Rajonale, kemi pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm nga njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët na janë përgjigjur pozitivisht. Vërtetë, jemi të impresionuar. Faleminderit pafund FFK’në, klube sportive, shoqatat e individët, të cilët e kanë mbështetur këtë familje për ta përballuar sa më lehtë humbjen e dy djemve”, ka thënë Hoxha për Mediafokus.info.
Më 26 nëntorin e vitit që lamë pas, Shqipërinë e goditi një tërmet I tmerrshëm, ku, për pasojë, humbën jetën më shumë se 50 persona, në mesin e tyre edhe Isa e Shemsedin Abazi nga Livoçi i Epërm i Gjilanit./MediaFokus/

