Liqenet në Kosovë nuk janë pastruar asnjëherë

Arsim Fetahu, kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka deklaruar se liqenet në Kosovë asnjëherë nuk janë pastruar.

I ftuar në emisionin Kallxo Përnime, Fetahu është shprehur se mënyra e ndërtimit të digës së Liqenit të Badocit në vitet e ’60-a kur edhe u ndërtua ky liqe, ka qenë sipas standardeve të asaj kohe dhe tash është vjetruar.

“Për dallim nga liqeni i Batllavës, i cili i ka tri nivele të caktuara me një distancë nga 7-8 metra njëra me tjetrën, po të kishim këtë mundësi edhe tek liqeni i Badocit momentalisht ne do të merrnim ujin nga nivelet më të larta për arsye se s’do kishim problemin e manganit.”

“Ajo çka është pastruar, mund të themi që në liqenin e Batllavës gjatë këtij viti ka qenë i mbushur plotë dhe ne e kemi vendosur shkarkuesin fundor, i cili pastaj edhe krejt ato mbeturina, bashkë me ujin janë larguar nga liqeni. Mirëpo në kuptimin institucional nuk është bërë asnjëherë një pastrim i liqeneve.” – ka thënë ai.

Fetahu gjithashtu ka thënë se mënyra e zgjidhjes së problemit të paktën për një kohë është të ngritët niveli i veprës së marrjes së ujit.

“Nuk është lehtë e realizueshme kjo. Uji nga gypi që merret në liqen jemi tu provu me ngrit në një nivel më të lartë, nuk bëhet për 1-2 ditë na merr kohë por jemi vetëm si KRU që jemi duke provuar ta zgjedhim dhe besoj e shpresoj që shumë shpejt kemi me e bo.” – ka thënë Fetahu.

Ndryshe, Instituti i Shëndetit Publik ditë më parë ka bërë thirrje për të gjitha zonat të cilat furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit, të mos e konsumojnë ujin.