Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes
(Të lirë në mendjet tona, të lirë në fjalët tona në këtë ditë të kthesës historike, ne sot festojmë dhe kremtojmë të lirë atë që u pagua me çmimin më të lartë, me gjakun e njomë të dëshmorëve ndër vite).
Sa e shtrenjtë na qenka Liria…. siç thotë edhe bilbili i gjuhës shqipe Naim FRASHËRI ‘’Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë’’.
Lufta jonë për liri ishte e pastër, e domosdoshme, e drejtë dhe e vetmja alternativë ngase lufta na ishte imponuar nga regjimi fashist serb.
Liria padyshim se është ideali më i rëndësishëm njerëzor për një mendje dhe komb të shëndoshë.
Liria ashtu sikur dija nuk është e lirë, liria i ka rrënjët në gjak prandaj edhe për këtë i japin njerëzimit me pikatore.
Liria është arsyeja e ekzistencës së popujve dhe ekzistencës së shpresës për të jetuar.
Liria është shumë e shtrenjtë dhe zaten nuk ka çmim dhe rruga për të arritur deri te liria dhe pavarësia ishte shumë e gjatë.
Nuk ishte, thjesht një ditë apo një vit, por një sakrificë dhe rezistencë shekullore, brez pas brezi kundër një okupatori dhe regjimi fashist.
Dhe pas shumë vuajtjesh e persekutimesh të gjeneratave të shumta ndër shekuj, arritëm deri te liria dhe pavarësia e Kosovës sonë të dashur.
Liria, pa dyshim se e është shumë e shtrenjtë ngase atë e paguam me gjakun e njomë të më dashurve tanë, të rënëve për liri, të dëshmorëve ndër periudha të ndryshme kohore me të njëjtin ideal dhe qëllim që njëherë e përgjithmonë të flasim dhe frymojmë shqip në tokën e më të parëve tanë ku na fali i madhi Zot.
Lufta dhe rënia e dëshmorëve është vet madhështia e tyre, ata ranë heroikisht që populli të ngritët trimërisht, ata përqafuan luftën që atdheu të gëzojë lirinë.
Ideali tyre ishte liri e plotë, pa kushtëzime dhe pa kufizime.
Ne si komb i vogël na u desh të vuajmë shumë dhe të derdhim shumë gjak dhe të humbim më të dashurit tanë pasi ishim të persekutuar dhe vuajtur brez pas brezi, nga një regjim kriminel, me një ushtri dhe polici fashiste që qëllim kryesor kishte zhdukjen e kombit shqiptar nga faqja e dheut.
Ne arritëm çlirimin dhe lirinë falë djemve dhe vajzave më të mira të këtij vendi të cilët kapën armët dhe nuk kursyen as më të shtrenjtën e tyre, jetën që ne të frymojmë lirshëm njëherë e përgjithmonë.
Siç do të thoshte komandanti dhe heroi i popullit Fehmi Lladrovci, ‘’ Vdekja për lirinë e Kosovës, do të ishte fati më i madh jetësor, më e shtrenjtë është liria se jeta’’.
Ne sot jemi të lirë dhe frymojmë të lirë pas sakrificës sublime dhe të pashoq të familjes Jashari, vëllezërve Haradinaj, Komandantit Zahir Pajaziti, heroit që arriti pavdekësinë Agim Ramadani (Katana) e shumë e shumë dëshmorëve ndër shekuj që u flijuan për një Kosovë të lirë e të pavarur.
Mirënjohës dhe falënderues për jetë e mot Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe miqve tanë amerikanë dhe atyre evropianë për përkrahjen të kauzës sonë të drejtë për liri dhe pavarësi.
Andaj ne të gjallët sot, të punojmë dhe ndërtojmë vendin tonë ngase kemi amanet nga dëshmorët, nga më meritorët andaj nëse detyrë e atyre ishte të japin jetën për liri, sot detyrë e jona është të japim tërë potencialin tonë në ndërtim të vendit tonë të dashur – Kosovës.
Zoti e bekoftë Kosovën tonë të dashur dhe e bëftë çdo ditë e më të fortë.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi të vendit.
Blerim SHERIFI, PhD Candidate i Gjuhës Angleze
