Lirikë me dhembje epike
SHERAFEDIN KADRIU
(Meditim për vëllimin poetik “Edhe ëndrrat në pranga” të poetit Avdush Canajt)
“Edhe ëndrrat në pranga” është titull shoqërues në thellësinë e vështrimit analitik. E tillë është edhe semantika e poezive të këtij libri, i cili ka diçka në strukturën e tij që ta trandë shpirtin e paqtuar përtej të vërtetës së ëndrrave, ndoshta pse ky është nga ata libra që e mundin edhe imagjinatën më të thellë.
***
E takova këtë libër tre vjet pasi kishte dalë nga shtypi, se mu kur doli libri, unë po shihja zbehjen e ngjyrave të jetës sime… Po qe, e deshi… Sot po e lexoj dhembjen poetike nëpër ato birucat e burgjeve ushtarake jugosllave, pak pa e shpërfaq të zezën e fundit.
Në secilën poezi po admiroj vuajtjen e sfidën deri përtej ferrit. Po admiroj qëndresën përtej mesjetës së frikshme.
Nuk është më historia personale e poetit në poezi, jo.
Përkundrazi, notat e dhembjes kanë marrë trajtë të universales. Me ëndrrat “stolisur” me pranga, aty shkallmohet për çdo minutë jeta, edhe vritet se s’e ka për gjë, ama aty edhe /kokulur dhe e turpëruar/ ikën vdekja.
Miq të mi, edhe universalizimi ka një limit, bile universalizimi letrar! Kësaj here, në poezitë e Avdush Canajt ndalet me të drejtë te etniteti dhe identiteti i një etnikumi të formësuar që nga parahistoria, që jeton për “NËNËN ILIRIANE”.
DHEMBJET E FERRIT, SFIDË QIELLIT
Vepra është ndarë në katër cikle letrare, që nuk paraqesin ndonjë shkëputje tematike të mirëfilltë.
Cikli i parë i titulluar Syri i ferrit është nisma e provimit dhe e sprovimit intelektual, shpirtëror, etnik e trupor. Dhe, po ti numërosh të zezat që vijnë nga cerberë, gjarpërinj, ujqër, qenë, hiena të trallisura, duket sikur burgu i poetit të ri vret trishtueshëm si Ferri i Dantes.
E di, ky krahasim barazimi secilit që ka lexuar Ferrin do t’i dukej i pavend, por ja deri ku shkon barbaria moderne te Ferri i Canajt:
1. … edhe hëna e pa
barbarinë e barbarit mbi ne,
ndaj u fsheh
pas shpinës së një reje
për ta fshirë lotin.
Rrallë kam hasur narracion të këtillë liriko-metaforik të shtrirë kaq thjesht e kaq bukur mbi një paralelizëm figurativ.
Ndërtimet e këtilla janë interesante, sepse paralelizmi figurativ shoqërohet me patjetër me një krahasim, dhe ka një shtrirje të gjerë: Dita zgjohet e lodhur me sy të ënjtur, si ne (Kolla e burgut) ose Atë ditë edhe zogjtë bënë grevë si ne, nuk cicëruan (Ata të dy).
Poezi me ndërtime të tilla figurative dalin: Pëllumbi i lirisë, Të vritet qielli, Lapsit ia nxorën zemrën, Ata te dy, Qielli bie, Flutura ime, Qeni etj. Pa mohuar ama asnjë nga bukuritë e poezive që nuk u përmendën.
Në vazhdim ka një rikthim në procedurën e gjykimit. Është dëshmitari, i pari. Si në njëqind raste pa shkëputje, ai do të gjendej, ku ishte, e ku nuk ishte. Do të shfaqej me patjetër, i shpërblyer me fillimin poetik të kësaj vepre letrare, duke treguar korrektësi narracioni.
Nuk shton asgjë. Dhe as që duhet. Mjafton e vërteta që t’i gëzohet falënderimit të gjykatësit. Ka një dialog që përfundon si monolog:
Ti ke thënë:
Republika
do të jetë si dielli
Do të na rrezojë njësoj
ky diell i Madh
Lumturia
Do të jetë në çdo zemër
U dashka mësuar nga ekzistencializmi letrar se po ta kesh një proces, do të thotë ta kesh të humbur (shembulli i Procesit të Kafkës). E, nëpër të tilla procese të humbura ka kaluar nisma e rinisë sonë…
Si është poezia! E vetmja që mund realitetin, edhe më i hidhuri qoftë sepse në të jeton e vërteta e imagjinatës së ëndërruar që shpërfaqet si kuptim metaforik.
Në atë tematikë burgu të strukturuar dhembshëm si emocion i derdhur në varg rrjedh jeta dhe vdekja, e para qëndron, e dyta tërheq.
Dhe, ka interpretues pastaj që flasin për një emocion që nuk ekziston në poezi, dhe luajnë me fjalë se emocioni jepet, por ai nuk ndodhet në poezi se poezia është vetëm gjuhësore. Lojë fjalësh. Si mund të të japë ajo që nuk ka.
Përkundrazi, poezia e mirëfilltë është e mbushur plot emocion. Bile, poeti anglez, P. B. Shelley e thotë edhe më fuqishëm: emocioni është “gjaku i jetës” në një poezi.
Është pra emocioni në semantikën poetike, dhe s’e shkul kush nga aty, ai do të jetojë bashkë me ngjyrën e shkronjave.
FERRI I UJQËRISË
Të rrallë janë poetët që arritën t’i nxjerrin ëndrrat nga ferri i ujqërisë, – Qelia. Si mund t’i shkruash e si mund t’i nxjerrësh!!! E vështirë. Ama, nuk e kanë thënë kot: trimin e ndihmon fati.
Dhe, vijnë vargje domethënëse për emocionin e shkaktuar në thellësitë e shpirtit të vrarë nga një ligjërim poetik jo i rëndë, me aso fjalë komplekse siç ndodh shpesh, përkundrazi Canaj sjell fjalë të zakonshme, nga të cilat vërtet krijon tej madhështisë, bukuri, bile edhe më shumë, krijon të magjishmen.
Çdo poezi në kohë e hapësirë tjetër do të shkruhej si kujtim, si evokim copëzash të ngjitura. Dhe, vështirë se të njëjtat fjalë do ta thurnin atmosferën shqetësuese dhe emocionuese të secilit çast.
Nëse kam cituar ndonjëherë mendimin e Borhesit për thjeshtësinë dhe bukurinë e fjalës, më duket se tani lexoj shembullin ekspozues në poezinë e Avdush Canajt:
Nënë, gozhdët m’i kanë ngulur
thonjtë m’i kanë shkulur
syrin ma nxorën te dritaret
aty tash, o nënë, fikin cigaret.
/Letër nënës nga burgu/
Kjo është poezi e gjallë që vjen nga paravdekja. Dhemb si vetë syri. Është poezi që dëshmon se Avdush Canaj është krijues guximtar dhe se … secili epitet do të ishte i trajtuar thellësisht.
A nuk është në të njëjtën kohë forcë E gurta? Mu E gurta, jo kushdo nëna Norë, e bija e Margës, që nuk jepet as para ferrit të ujqërisë, e as para trimit të saj: Kokën lart te qielli (e ka)…
Duke e njohur atë ndërtim delikatese për vogëlushët e vogëlushet, poeti i kësaj përmbledhje poetike për të rritur nuk mund të dilte ndryshe, veçse i këtillë: i kallur flakë përbrenda për lirinë e munguar përjashta.
Ky libër ëndrrash është ai projeksioni fantastik i lindur brenda katër mureve burg, në shpirtin e lirë artistik.
Është lirika që rrjedh dhembshëm si lot vashe e sëmurë, teksa përcjell imazhin e jetës së shqiptarëve në burgjet jugosllave, e cila vjen përmes vuajtjeve jashtënjerëzore, nëpërmjet asaj dhembjeje që nuk pushon duke grithur kujtesën e atij shekulli guximtar. Po, një dhembje krenare, ama!
Dje Fuadit
ia thyen krahun e djathtë
Skendës
ia këputën gishtin e unazës
Sonte ndoshta e ka radhën
njëra këmbë e imja
(Ndoshta)
Vërtet, një poezi testament dhembjesh i shpirtit të sfiduar nga dhuna e mizorëve gjuhësh të ngjashme në rrënjë.
Dhe, përkundër kësaj dhune, asnjëherë s’e kam dëgjuar një trohë kallëzimi nga poeti modest, ama shumë modest.
Të tjerët me provimin e tij atdhetar e kishin kallë flakë. Po prandaj, Avdush Canaj e paska merituar një tregim të jetuar edhe pa poetikë.
NË SHTRATIN E NDJESHMËRISË
Cikli i tretë dhe i katërt nuk numërojnë më shumë se 16 poezi së bashku. Natyra e krijimit del e ngjashme me pikën vluese, e cila më pas zbret shpejt.
Dy poezitë përkushtuese për bijat e tija: Kaltërinën dhe Klodianën janë bukuri e dhembshurisë prindërore, mu pse janë e ardhmja.
Kur të kthehet babi a poeti, nuk e di, po se do t’i sjellë Kaltërinës violinën e pranverës këtë e kam mësuar nga poezia. E, ajo do t’i bie ëmbëlsisht me gishtat e saj të trëndafiltë.
Epitet për botën fëmijërore: “gishtat e trëndafiltë”! Herën tjetër “kaçurrele të diellta”. Sa epitete të bukura! Të ndërtuara si epitete aluduese. Letë shëmbëllen edhe zëri yt i korbtë, këmba e terrinës etj.
Ndërsa, Klodiana e vogël është vetëm një këngë që rritet me vargjet për lirinë. Metaforë… Përtej metaforës. Diçka e bukur që kërkon emrin e vetë!!!
Vetëm kështu, pse përpos atdheut, nuk ka tjetër më të dashur se familja. Vuajtjet me vetëdije për Atdheun, për lirinë e tij; ndërsa dhembjet për familjen, nënën, babanë, gruan e fëmijët.
Këqyrë si për vete, poetin e paskan dërmuar realisht, po nuk paskan arritur ta vrasin shpirtërisht, sepse nuk paskan gjetur mënyrë t’ia kapin imagjinatën, ajo paska ikur para barbarisë… qenka përjetësuar si monument vargor në poezinë e fshehur në një tufë letre duhani.
Në fund të meditimit kritik për këtë vëllim poetik pse të mos e them qartë refleksin e përjetuar shpirtërisht? “Edhe ëndrrat me pranga” dhemb përtej shtrëngimit të prangave në asht, përtej telave e gjarpërinjve në qeli.
Njohje që ka ekzistuar edhe më parë, por duhej dikush ta zbulonte estetikisht, dhe këtë e paska bërë me muzën dorëlirë Avdush Canaj.
(Gjilan, shtator 2025)
