Lirohet Nuredin Lushtaku
Avokati i ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, Artan Qerkini ka njoftuar se klienti i tij është liruar pasi përfundoi intervistimin në stacionin policor.
Ish-gjenerali Lushtaku dyshohet se së bashku me disa familjarë të tij janë të implikuar në incidentin e mbrëmshëm në Skenderaj, ku për pasojë, mbetën dy policë të plagosur.
“E kam vizitu zotin Lushtaku, ai është liruar me procedurë të rregullt, meqenëse nuk ekziston ndonjë dyshim i arsyeshëm që ai ka përdorur armë gjatë incidentit në fjalë, policia do t’i zhvillojë hetimet, ne jemi të interesuar që hetimet të zhvillohen të plota në mënyrë që të zbardhet e gjithë e vërteta e këtij rasti, pa zhvillime të hetimeve natyrisht ne do t’i përdordim të gjitha ato mjete juridike që i kemi në dispozicion varësisht prej rezultatit të procedurës së hetimeve”, konfirmoi ai për Paparacin.
Gjithashtu, ai ka thënë se nuk ka informacione nëse ka persona të tjerë të prangosur nga Policia.
“Nuk e di për të tjerët, nuk mund të flas për të tjerët, sepse unë mund ta përfaqësoj vetëm një të dyshuar në këtë rast zotin Nuredin Lushtaku për të tjerët nuk kam informacion”, u shpreh ai.
Lidhur me rastin e mbrëmshëm, Policia ka vënë në pranga dy persona, kurse është në kërkim edhe për dy të tjerë.
Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për Paparacin se deri më tani në fazën e hetimeve nuk ka asnjë polic të dyshuar mbi rastin.

