Lirohet Petrit Dula, i dënuar në Serbi për “krime të luftës në Kosovë”

Petrit Dula, ish-i dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata në Serbi për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë, tashmë është liruar nga akuza.

Në një bisedë ekskluzive telefonike me Portalin Dukagjini, Dula ka treguar se është liruar më shtatë prill të vitit 2023.

Ai ishte mbajtur në një nga Qendrat e paraburgimit të Serbisë, për afër një vit.

“Po, jam liruar më shtatë prill, ndërsa jam arrestuar më katër qershor të vitit 2022”, thotë Dula

I pyetur nëse është kontaktuar nga Ministria e Drejtësisë, Dula e mohon një gjë të tillë teksa shton se është kontaktuar vetëm nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Kanë qenë zyrtarët ndërlidhës Kosovë-Serbi, Fatmir Haxholli dhe Jashar Jetishi – ambasador sikur që e kanë ata Petkoviqin. Me ta kemi pasur lidhje kanë qenë në burg për vizitë. Nuk jam kontaktuar nga Ministria e Drejtësisë, vetëm nga MPJD”, ka thënë ai.

Pas më shumë se tri vjetësh, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar përmes një letre zyrtare ministres së Drejtësisë të Serbisë, Maja Popoviq, transferimin e Nezir Mehmetajt në Kosovë, si dhe të Petrit Dulës, i dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata në Serbi për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.

Lidhur me këtë, Portali Dukagjini ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë për të kuptuar në rast se kanë pranuar ndonjë përgjigje nga Serbia.

MD-ja për Portalin Dukagjini thotë se deri më tani ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë një kërkesë në muajin mars te Ministria e Drejtësisë në Serbi, lidhur me transferimin e z. Nezir Mehmetaj dhe z. Petrit Dula në Kosovë. Deri më tani, Ministria e Drejtësisë nuk ka pranuar përgjigje, thuhet në përgjigjen e MD-së