Lista Serbe i del përballë Lajçakut me disa kushte për normalizim të marrëdhënieve, ndër to edhe formimi i Asociacionit

Emisari i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë – Serbi pas takimit me partitë opozitare, është takuar edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe. Sipas njoftimit për media nga kjo parti, thuhet se Lista Serbe i ka dalë përballë Lajçakut me disa kushte.

“Formimi i Asociacionit, siguria, mbrojtja e të drejtave kolektive dhe individuale të popullit serb janë parakusht për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Në takim kanë marrë pjesë kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, nënkryetari Igor Simiq dhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq që është edhe nënkryetar i Listës.

Lajmin për mospjesëmarrjen në zgjedhje, Lista Serbe zgjodhi ta japë kur në Prishtinë erdhi Lajcak, i cili po bën përgatitjet e fundit për takimin e 18 marsit.

“…Me këtë rast shfrytëzojmë rastin t’i informojmë qytetarët se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk janë plotësuar kërkesat për të cilat ne u larguam nga institucionet e Kosovës dhe as nuk do të marrim pjesë në zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, thuhej në njoftimin e Listës Serbe.

Ndryshe, perëndimi i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, pas dorëheqjeve masive të serbëve të veriut të Kosovës nga institucionet publike. Në valën e këtyre dorëheqjeve, ishin larguar nga pozitat e tyre edhe kryetari i Mitrovicës Veriore, i Leposaviqit, i Zubin Potokut dhe i Zveçanit.

Në situatën e tensionuar në veriun e barrikaduar, zyrtarët evropianë dhe amerikanë, i kërkonin Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, që të shtynin mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilave u ishte caktuar data.

Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, kishte vizituar Prishtinën në fillim të dhjetorit për ta sjellë versionin e fundit të planit franko-gjerman dhe për t’i kërkuar Kurtit që të shtyheshin zgjedhjet lokale.

Liderët kosovarë iu bindën kërkesave dhe zgjedhjet u shtyn për në prill, kur mendohej se do të ishte një terren më i përshtatshëm dhe shtensionues mes Kosovës dhe Serbisë.

Situata në terren u qetësua dhe Kosova e Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së, u dakorduan edhe për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Por, këto ngjarje nuk e kanë bindur Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e prillit.

Zgjedhjet në katër komunat veriore ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor, 2022. Presidentja atë kohë e citonte Ligjin për Zgjedhje, sipas së cilit kjo ishte data e fundit kur duhej të mbaheshin zgjedhjet. Por, pas kërkesës së ndërkombëtare, ato u shtyn për datën 23 prill, 2023.