Lista Serbe në bisedime me KFOR-in: Kërkojnë që Policia e Kosovës të zëvendësohet nga KFOR-i

Përfaqësuesit e Listës Serbe, Igor Simiq dhe Dragisha Milloviq, kanë zhvilluar bisedime me kolonelin e KFOR-it në Zveçan, ndaj të cilët siç raporton REL, kanë kërkuar që policët e Kosovës të zëvendësohen nga KFOR-i në këtë komunë.

Milloviq ka thënë se janë në pritje të përgjigjes nga koloneli amerikan i KFOR-it.

“Mund të them se ka qenë vërtet një bisedë korrekte, se koloneli e kupton situatën në të cilën jemi të gjithë. Kërkesa jonë ka qenë që njësitë speciale të tërhiqen nga ndërtesa e komunës, të largohen nga ndërtesa e komunës dhe sigurinë ta marrë KFOR-i. Ai [koloneli] po flet tani me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it për kërkesën tonë.” – ka thënë Milloviq para të të tubuarve.

“Presim përgjigje se çfarë do të na thotë koloneli amerikan i KFOR-it.” – ka shtuar ai.

Ndërkohë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok situata po vazhdon të jetë e tensionuar pasi qytetarët serbë po kundërshtojnë kryetarët e rinjë shqiptarë të zgjedhur nga zgjedhjet e fundit në veri të vendit.