Listat e kandidatëve për deputetë verifikohen nga Këshilli Gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nga sot e deri më 20 janar do t’i verifikojë listat e kandidatëve me të cilat garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit partitë politike.

Në rast se KGJK-ja gjen në këto lista persona që kanë dënime të plotfuqishme, atëherë Komisioni Qendror Zgjedhor nuk mund t`i certifikojë ata për pjesëmarrje në zgjedhje, shkruan express

Në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë përfshirë disa persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit. Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje janë të dënuar me kusht që nga shtatori 2018 për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Milan Aritonoviq nga Lista Serbe është i dënuar me 500 euro gjobë nga gjykata për raportim të rremë të pasurisë si dhe kandidati i Nismës, Besnik Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në mars 2018.