Llashticë: 25 vjet pas masakrës nuk ka drejtësi as për foshnjën tri javësh…

Llashtica e Gjilanit konsiderohet Reçaku i dytë në Kosovë. Këtu u krye masakra më e madhe gjatë luftës së vitit 1999, në regjionin e Anamoravës, shkruan Mediafokus.info

Forcat serbe vranë 26 civilë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe një foshnje tri javësh dhe një plak 90-vjeç.

Dëshmitarët kanë folur për këtë masakër, për ato që kanë përjetuar dhe i kanë parë me sytë e tyre, por drejtësia ndërkombëtare e vendore ka heshtur deri tani.

Dëshmitari kryesor, Deli Hyseni, njeriu që ka parë me sytë e tij vdekjen e më të afërmeve, në dëshminë e tij dhënë Këshillit për grumbullimin e fakteve për krimet e luftës, e ka përshkruar situatën në detaje.

“E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë se si njeriu është më i fortë se guri”.

Por Llashtica nuk mori drejtësi ende.

Nuk mjaftuan as deklaratat e Vlora Shabanit, Deli Hysenit, Drita Hysenit, Ymer Ibishit, Nehat Shabanit e të dëshmitarëve të tjerë, që kjo dosje e krimeve të shqyrtohet nga drejtësia.

Në rrëfimin e Deli Hysenit thuhet se një paramilitar rom e qëlloi të parin babain në syrin e djathtë dhe vazhdoi t`i vras të gjithë me radhë, i ndihmuar edhe nga një serb.

“E kam parë me sytë e mi se si digjej nëna Ajshe. Ajo dha shpirt në duart e mia. E kam parë me sytë e mi Feriz Shabanin, derisa po jepte shpirt. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij Zijaverës…”.

Deli Hyseni (nuk jeton më) kishte parë gjithçka që ndodhi në Llashticë, edhe buldozerin që erdhi për të rrafshuar e mbuluar vendin e krimit.

Edhe dëshmia që ka dhënë Vlora Shabani është rrënqethëse. Ajo ka humbur babën, nënën, vëllain dhe gjyshin, ndërsa vetë është plagosur dhe nga traumat, është dashur të shërohet gjashtë muaj në SHBA, pas luftës.

Vlora i ka parë me sytë e saj se si digjeshin për së gjalli prindërit dhe vëllai.

Dëshmitar i barabarisë serbe është edhe Nehat Shabani, i cili e humbi djalin Lirimin, kurse vetë mori plagë në krahun e djathtë.

Llashtiva kërkon drejtësi për Hysen Deli Hyseni, Ajshe Hysen Hyseni, Fazli Hysen Hyseni, Arife Fazli Hyseni, Driton Fazli Hyseni, Mirije Deli Hyseni, Blerim Ramadan Halili, Rifat Xhemajl Shabani, Selami Rifat Shabani, Zijavere Ejup Shabani, Fisnik Selami Shabani, Sylejman Ymer Ibishi, Xhavit Banush Berisha….

Drejtësi kërkon edhe dëshmitari Ymer Ibishi. “As Luis Arbur, që asokohe si kryeprokurore e Tribunalit të Hagës e vizitoi Llashticën, nuk ndërmori asgjë”, thotë Ibishi.

Heshtën edhe patologët kanadezë që kishin ardhur në Llashticë parë krimet.

Llashtica është e zhgënjyer me heshtjen e drejtësisë. /Mediafokus.info